Vendosni fjalën kyçe....

Irani sfidon Trudeaun të nxjerrë provat e Inteligjencës që akuzojnë Teheranin për rrëzimin e avionit


Teherani ka hedhur poshtë akuzat se rrëzimi i avionit ukrainas “Boeing 737” ndodhi për shkak se u godit nga një raketë iraniane. Madje u ka bërë thirrje vendeve që humbën qytetarë pas përplasjes, që të ndihmojnë duke dërguar përfaqësuesit e tyre që t’i bashkohen hetimit.

“Të gjitha këto raporte janë një luftë psikologjike kundër Iranit”- tha të enjten zëdhënësi i qeverisë Ali Rabiei, citon RT.

“Të gjitha ato vendet, qytetarët e të cilëve ishin në avion mund të dërgojnë përfaqësues dhe ne i kërkojmë Boeing të dërgojë përfaqësuesin e tij për t’u bashkuar me procesin e hetimit të kutisë së zezë”- vijoi zëdhënësi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Abbas Mousavi ndërkohë i ka bërë thirrje kryeministrit kanadez Justin Trudeau të ndajë informacionet e inteligjencës, të cilat ai i citoi kur tha se avioni ishte qëlluar nga një raketë në ajër.

“Ne po i bëjmë thirrje kryeministrit Kanadez dhe çdo qeverie tjetër që ka informacione për rrëzimin për t’ia dorëzuar atë komitetit të hetimit në Iran.”- tha Mousavi.

Pretendimi i Trudeaut se avioni u rrëzua nga një raketë, pason deklaratat e ngjashme të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson.

Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump nuk e akuzoi drejtpërdrejt Teheranin për rrëzimin e avionit, por mediat në SHBA kanë cituar zyrtarë anonimë amerikanë që thonë se ishte mbrojtja ajrore iraniane që e rrëzoi atë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *