Mediat arabe shkruajnë sot se kryeministri Edi Rama ka dënuar “veprimtarinë e keqe” të regjimit iranian pas deklaratave të udhëheqësit të lartë Ayatollah Ali Khamenei kundër Shqipërisë në internet.
Khamenei shkoi në “Twitter” javën e kaluar se Shqipëria është një vend i vogël europian, ku mercenarët dhe tradhtarët u bashkuan me disa të huaj dhe u përpoqën të komplotonin kundër Republikës Islamike të Iranit.
Postimi u kuptua si një referencë për Shqipërinë, që ka pritur refugjatët iranianë, mes tyre anëtarët e grupit Mujahideen al-Khalq (MEK), të cilët shpëtuan nga persekutimi në Republikën Islamike, fillimisht në Irak. Ata u zhvendosën në Shqipëri përmes një programi të Kombeve të Bashkuara në vitet 2013-2016.
Rama ka reaguar për gazetën “Al Arabiya English” duke thënë se: “Shqipëria u dha strehë të ashtuquajturve ‘tradhtarë’ që zotëria Khamenei dëshiron të vrasë. Ata erdhën në Shqipëri përmes një operacioni humanitar të koordinuar me Shtetet e Bashkuara”.
Rama shtoi se Shqipëria kishte një histori të gjatë të humanizmit. Sipas kryeministrit shqiptar fjalët e Khamenei ishin “thjesht një shembull tjetër i brutalitetit të verbër të regjimit të Teheranit”.
Siç shkruan gazeta arabe, Rama dënoi gjithashtu “diktaturën brutale” të Iranit për planifikimin e “veprimtarisë së keqe” në Shqipëri. Tetorin e kaluar, autoritetet shqiptare zbuluan një rrjet paramilitar terrorist iranian që dyshohet se planifikonte sulme ndaj MEK-ut në vend.
“Kur dëgjoni se si z. Khamenei lëshon gjuhën e tij drejt vendit tonë të vogël, nuk është e vështirë të gjesh përgjigjen”– tha Rama kur u pyet se kush qëndron pas këtyre sulmeve.
Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër për “dëmtimin e sigurisë kombëtare” në tetor të vitit 2018.
“Marrëdhëniet tona me Iranin janë në nivelin më të ulët se kurrë, për shkak të veprimtarisë dashakeqe brenda territorit tonë të diplomatëve të lartë iranianë që duhej të dëbonim”- shpjegoi Rama për median arabe, duke lënë të hapur mundësinë që Teherani të planifikojë sulme ndaj vendit në të ardhmen.
“Ne presim gjithçka nga ata djem”– thotë ai.
Siç shkruan gazeta, Rama sqaroi se Shqipëria mbështet SHBA-në dhe aleatët e saj rajonalë në përballjen me Iranin, mes përshkallëzimit të tensioneve pas sulmeve raketore iraniane në baza ushtarake në Irak.
“Ne mbështesin fuqimisht Shtetet e Bashkuara dhe Presidentin Trump për t’i treguar regjimit të Teheranit se ‘mjaft është mjaft’. Ne shpresojmë shumë që liderët iranianë do të zgjedhin paqen dhe respektin e të tjerëve, në vend të aktiviteteve keqdashëse, kërcënimeve ndaj të tjerëve dhe dhimbjes së shkaktuar ndaj popullatës së vet”– thotë Rama.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Al Arabiya/ Përshtati në shqip Hashtag.al