Rodiumi, një metal jashtëzakonisht i rrallë, me ngjyrë të argjendtë, e ka çuar më tej rritjen e çmimit të tij shumëvjeçar, duke u rritur me 32 përqind këtë muaj dhe duke kapur çmimin më të lartë që nga viti 2008.
Metali i cili përdoret kryesisht në autokatalizatorë për veturat është rritur 225 përqind nga viti në vit. Ai është rritur 12 herë në katër vitet e fundit, duke tejkaluar çmimin e të shumë metaleve të çmuara.
‘Rodiumi është subjekt i paqëndrueshmërisë së çmendur,’ i tha ‘Bloomberg’-ut, Anton Berlin, kreu i analizës dhe i zhvillimit të tregut në ‘Norilsk Nickel’ të Rusisë. Kompania ruse nxjerr në minierat e saj rreth 10 përqind të të gjithë rodiumit global.
Forcimi i standardeve për ndotjen që bëjnë automjtete ka nxitur rritjen e çmimit. Metali arriti në 8.000 dollarë për ons (28 gramë), sipas kompanisë së prodhimeve kimike ‘Johnson Matthey’.
‘Nxitja kryesore për rritjen e çmimit në fillim të janarit ishte kërkesa nga Azia, e cila mund të jetë gjithashtu e lidhur me automjetet,’ tha Andreas Danel, një tregtar në rafinerinë ‘Heraeus Holding’.
Rodiumi është një metal i rrallë e për t’ju dhënë një pamje të qartë mjafton të përmendim se 1 ton i kores së Tokës përmban rreth 0.001 gramë të këtij metali. Rodiumi ka një pikë të lartë shkrirjeje dhe një aftësi të mahnitshme për t’i bërë ballë gërryerjes.
Metali përdoret zakonisht për vetitë e tij reflektuese në sende të tilla si pasqyra, dritat që përdoren për të kërkuar gjëra në errësirë dhe bizhuteritë. Ai është i vlefshëm në industrinë e automobilave si një përbërës thelbësor në shndërruesit katalitikë.
Ai është i nevojshëm për të dy motorët, me naftë dhe me gaz. Prodhuesit më të mëdhenj të rodiumit janë Afrika e Jugut, Rusia dhe Kanadaja.