Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso deklaroi në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ se çdo sistem ka avantazhet dhe disavantazhet e tij, por në Shqipëri sipas tij, problemi nuk është këtu, por te demokracia e brendshme e partive.
Për Kason për momentin duhet të diskutohen çështjet më emergjente të Reformës Zgjedhore, ndërsa sistemi sipas tij i takon një reforme më të thellë kushtetuese.
“Nuk besoj se ka një sistem të mirë apo të keq. Sistemi i takon një reforme më të thellë kushtetuese. Duhet të nisë me vërtetësi dhe pa paragjykime. Së pari duhet të diskutojmë pse ka dështuar sistemi aktual” tha ai.
Një nga kritikat e shumta kundër sistemit aktual është se u jep pushtet absolut kryetarëve të partive në hartimin e listave të kandidatëve. Por Kaso nuk e shikon këtu problemin, por tek demokracia e brendshme e partive.
“Është e vërtetë që një nga kritikat që kam dëgjuar për këtë sistem pa të drejtë, se vendosin kryetarët e partive. Nëse ka një fenomen të tillë se është vërejtur nga partitë e mëdha, është defekt i demokracisë. Është një problem që fillon nga demokracia e brendshme e këtyre partive, por nuk mund të adresohet duke ndryshuar sistemin.