Vendosni fjalën kyçe....

“Sindikatat e vjetra punojnë për interesat e kompanisë, bashkohuni me ne” – Sindikata e Minatorëve të Bulqizës


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka denoncuar presionet dhe kërcënimet që iu bëhen minatorëve për t’u anëtarësuar në sindikatën e vjetër.

Në një reagim, SMBB-ja thotë se sindikata e vjetër i shërben kompanisë dhe u bën presion minatorëve që të bëhen pjesë e saj.

‘Ditën e djeshme, 13 janar, ne sindikalistët e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ishim para minierës, ku shpërndamë fletushka dhe folëm me qindra punëtorë në lidhje me presionet dhe kërcënimet që iu bëhen për t’u anëtarësuar në sindikatën e vjetër, tradhtaren e minatorëve.

Iu bëmë thirrje minatorëve që të denoncojnë dhe t’na informojnë për çdo rast flagrant presioni ndaj tyre. Ne do të jemi aty për t’i mbrojtur! Vëllezër minatorë! Motra që punoni në përzgjedhjen e kromit!

Prej kohësh sindikata e vjetër, shërbëtorja e kompanisë, vazhdon presione nga më të ndryshmet ndaj punëtorëve, për t’i detyruar që të anëtarësohen në sindikatën e tyre të marrë fund. Për këtë gjë janë në bashkëpunim të paturpshëm me kompaninë.’ – thuhet në reagimin e sindikatës.

Më tej në reagim theksohet se sindikata e vjetër drejtohet nga njerëz që nuk janë zgjedhur nga punëtorët dhe që i kanë tradhëtuar ata.

Ata u bëjnë thirrje minatorëve që për presioninet e kërcënimet të kontaktojnë me përfaqësuesit e SMBB-së.

‘Sindikata e vjetër drejtohet nga njerëz që nuk janë zgjedhur nga punëtorët, nga njerëz të korruptuar që kanë parë vetëm interesat e tyre dhe jo problemet e minatorëve. Ata janë shtypësit tanë, që na kanë mohuar djersën dhe na kanë pirë gjakun, prandaj duhet të qëndrojmë sa më larg tyre! Motra dhe vëllezër! Presioni që ju bëjnë është jo vetëm i padrejtë, por edhe tërësisht i paligjshëm. Ligjet brenda dhe jashtë Shqipërisë garantojnë mbrojtjen e punëtorëve nga këto presione kriminale. Ju bëjmë thirrje që t’na vini në dijeni për çdolloj presioni. Kontaktoni në çdo moment në numrin e telefonit të SMBB. Do jemi zëri dhe mbështetja juaj!’ – vijon reagimi.

Në fund, sindikata shton se qëllimi i vetëm i veprimtarisë së saj është mbrojtja e të drejtave të minatorëve.

SMBB-ja thekson gjihashtu se ajo është organizata më e madhe me 320 anëtarë dhe shumë të tjerë po i bashkohen.

Ajo thekson gjithashtu se asaj i takon bisedimi i kontratës së re kolektive dhe se fitorja është afër.

‘Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është krijuar nga minatorë të thjeshtë, nga ata që janë përditë në thellësitë e galerive. Qëllimi dhe zotimi ynë është përpjekja me mish e shpirt për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Zotohemi që të përgjigjemi kundër çdo presioni a kërcënimi që ju bëhet. Prandaj ju kërkojmë që t’na vini në dijeni për çdo rast të tillë. Sindikata e re është sindikata më e madhe në minierë, me më shumë se 320 anëtarë. Anëtarësimet vazhdojnë të shtohen. I bëjmë thirrje çdo shoqeje/shoku që nuk është anëtarësuar ende: bëhuni pjesë e SMBB! Sindikatës së re i takon bisedimi i kontratës së re kolektive. Rritja e pagës dhe përmirësimi i kushteve të punës për të gjithë punëtorët, janë synimi ynë! Mbështetja që kemi nga sindikata të mëdha evropiane dhe botërore, është e jashtëzakonshme! Ligjet dhe të drejtën i kemi në anën tonë! Fitorja është afër! Qëndrojmë të bashkuar! Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës Nr. telefoni: +355 68 47 27 370.’ – mbyllet reagimi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *