Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur një sulm ndaj kompanisë së Apple. Ai bëri një postim në “Twitter” për të thënë se kompania po refuzonte të zhbllokonte iPhone-at e përdorur nga “vrasësit, tregtarët e drogës dhe elementë të tjerë të dhunshëm”.
Siç shkruan BBC, të hënën Prokurori i Përgjithshëm amerikan William Barr, e akuzoi kompaninë Apple se nuk kishte ndihmuar në një hetim për një sulm me armë, që po trajtohet si një veprim terrorist.
Kjo është përplasja më e fundit midis Shtëpisë së Bardhë dhe gjigandëve të teknologjisë për qasjen në të dhëna. Trump akuzoi Apple se nuk pranoi të bashkëpunonte me hetuesit pavarësisht se administrata e tij po e ndihmonte kompaninë në tregti dhe në çështje të tjera.
“Ne jemi duke e ndihmuar Apple-in gjatë gjithë kohës në TREGTI dhe në kaq shumë çështje të tjera, dhe megjithatë ata nuk pranojnë të zhbllokojnë telefonat e përdorur nga vrasësit, tregtarët e drogës dhe elementë të tjerë të dhunshëm kriminalë. Ata duhet të veprojnë dhe të ndihmojnë vendin tonë të madh, TANI! Bëjeni Amerikën të madhe përsëri”– shkruan Trump.
Komentet e presidentit vijnë një ditë pasi Barr zbuloi se Apple kishte refuzuar të zhbllokojë dy iPhone, për të ndihmuar në hetimin për të shtënat në një bazë detare në Pensacola, Florida. Tre marinarë amerikanë u vranë kur një kursant saudit në bazë, hapi zjarr më 6 dhjetor.