Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka publikuar hartën e deritanishme të kryebashkiakëve socialistë të dalë nga votimet e 30 qershorit 2019 të cilët kanë pasur të shkuar kriminale.
Ditën e djeshme,Bardhi publikoi emrin e 5 të kryebashkiakut të Matit i cili sipas tij ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje por që nuk e ka pasqyruar në formularin e vetë-deklarimit.
Në fund, Bardhi shtron 5 pyetje për kryeministrin Rama në lidhje me emrat e kryebashkiakëve të përzgjedhur të cilët kanë të shkuar kriminale.
Postimi i plotë:
Kush është i radhës?
Edi Rama nuk mund të fshihet pas përgjegjësisë ligjore personale të 5 kryebashkiakëve ilegjitimë të emëruar prej tij, Valdrin Pjetrit të Shkodrë, Agim Kajmakut të Vorës, Mark Babanit të Vaut të Dejës, Qerim Ismailajt të Mallakastrës apo Agron Malajt të Matit.
Edi Rama ka përgjegjësinë politike për përzgjedhjen dhe promovimin e tyre dhe duhet të mbajë përgjegjësi për kriminalizimin e qeverisjes vendore. Ai është arkitekti i promovimit të krimit në politikë dhe ndërtimit të modelit kriminal të bashkëqeverisjes me krimin e organizuar, që ka demotivuar të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi dhe po i detyon të largohen nga vendi.
Edi Rama duhet të japë llogari:
– Pse në vend të një socialisti të ndershëm në Shkodër, përzgjodhi dhe kandidoi një trafikant droge?
– Pse në vend të një socialisti të ndershëm në Vorë, përzgjodhi dhe kandidoi një fallsifikator?
– Pse në vend të një socialisti të ndershëm në Vaun e Dejës, përzgjodhi dhe kandidoi një hajdut?
– Pse në vend të një socialisti të ndershëm në Mallakastër, përzgjodhi dhe kandidoi një dhunues?
– Pse në vend të një socialisti të ndershëm në Mat, përzgjodhi dhe kandidoi një vrasës?
Shqiptarët e kanë kuptuar se të bësh karrierë në qeverisjen e Edi Ramës duhet të jesh i certifikuar në trafik droge, fallsifikim, vjedhje, dhunë apo vrasje! Ky është ekipi dhe modeli qeverisës i Edi Ramës!