Bulqizë apo Klos? Për ata që kanë dyshime apo nuk e kanë kuptuar, familja Kurti me 10 anëtarë që Samir Mane e Arbër Hajdari i erdhën në ndihmë duke i dhënë çelësat e shtëpisë së re, nuk është nga Bulqiza, ashtu sikurse paraqitet nga puntata e së premtes në programin “Fiks Fare”.
Në mesin e kritikave ndaj kompanisë “AlbChrome” për minatorët, emisioni “Fiks Fare” tregoi se si pronari i kësaj kompanie, Z.Samir Mane, i ka ardhur në ndihmë një familjeje me tetë fëmijë nga Bulqiza, duke marrë përsipër rindërtimin e shtëpisë, kurimin e vajzës së sëmurë të familjes dhe dhënien e asistencës ushqimore për 1 vit për ta.
Mirëpo është krijuar një konfuzion nga ky lajm, për shkak se moderatorët e programit si dhe përfaqësuesi i grupit “Balfin” thonë se familja Kurti banon në zonën e Bulqizës. Por, Hashtag.al mëson se në të vërtetë, kjo familje nuk është fare nga Bulqiza, por nga Klosi, një bashki ngjitur me Bulqizën.
Në videon e programit, drejtori ekzekutiv i grupit “Balfin”, Z.Luan Saliaj, thotë se banesa e familjes Kurti ndodhet në zonën e Bulqizës, pak kilometra larg minierës së kromit në Bulqizë ku operon dhe “AlbChrome”. E theksojmë, “në zonën e Bulqizës” dhe jo “pranë Bulqizës”. (E gjeni në minutën 04:09 të videos së mëposhtme). Por pse Top Channel e paraqet sikur familja ndodhet në Bulqizë?
Hashtag.al u interesua tek zëdhënësi i kompanisë, Sokol Kondi, i cili tha se emri i vendit “Bulqizë” në vend të “Klos” nuk është përdorur me qëllim, e madje garantoi se do interesohej për ta korrigjuar këtë pjesë.
“Kemi thënë pak kilometra larg Bulqizës, për shkak se fshati ndodhet ndërmjet dy qyteteve, Klosit dhe Bulqizës. Do të verifikojmë rastin me ekspertet e Fundjavë Ndryshe që na e kanë sinjalizuar si rast dhe në rast se bëhet fjalë për një lapsus do ta korrigjojmë menjëherë.”– tha Kondi.
Por Saliaj nuk thotë “pak kilometra larg Bulqizës”, ai thotë “në zonën e Bulqizës, pak kilometra larg Traverbankut të Shungjunit dhe minierës së kromit në Bulqizë, ku kompania AlbChrome operon”. Për këtë arsye shumica e njerëzve e madje dhe mediat e kanë marrë të mirëqenë se familja është nga Bulqiza. Ky sqarim është i rëndësishëm sepse jo të gjithë shqiptarët e njohin fshatin ku jeton familja Kurti.
Kur kompania mori përsipër në muajin nëntor, të ndihmojë familjen Kurti, thoshte se është banuese në fshatin Gurrë e Vogël në Klos. Ky njoftim ishte publikuar në faqen zyrtare të grupit “Balfin”, por disa orë pas interesimit të gazetares së Hashtag.al ky njoftim është fshirë. Nuk dihet nëse ka një problem teknik dhe njoftimi do shfaqet përsëri i njëjtë.
Çfarë ndryshoi për dy muaj? Asokohe lajmi u publikua edhe nëpër portale, të cilat thonin se familja është nga Klosi, por po të njëjtat portale sot i vendosin ngjarjet në Bulqizë. Edhe Fundjavë Ndryshe para dy muajsh thoshte se familja banon në Klos (kliko këtu).
Por vendbanimi i familjes Kurti, nuk është e vetmja kontradiktë në raportimin e programit të “Top Channel”. Ndërhyrja që ka bërë kompania në banesë po ashtu nuk është paraqitur e qartë. Le ta sqarojmë edhe këtë pjesë nga fillimi.
Historia e familjes Kurti dhe peripecitë e tyre me shtëpinë janë raportuar disa herë prej disa vitesh nga gazetari Dritan Kurti në kronikat e tij për Vizion Plus dhe Mat TV.
Pas disa kronikave televizive, në vitin 2017 bashkia e Klosit e drejtuar asokohe nga Basir Çupa i erdhi në ndihmë familjes Kurti duke i ndërtuar një banesë të re nga fillimi pranë banesës së vjetër.
“Ne kemi filluar nga themelet, me çati, me mure. Por pa filluar me pjesën e brendshme. Pra karabinanë e kemi bërë ne si bashki. Mund të ketë dy vjet kjo. Pra nga themelet te çatia e kemi bërë ne. Tani ai ka një shtëpi tjetër të vjetër aty. S’kemi patur punë me të. Ne kemi filluar shtëpinë e re, që është 10 metra larg që aty. Deri në qershor kur kemi qenë ne, kaq ka qenë ndihma. Më vonë kanë filluar proceset e reja, suvatimet… Nuk kam ndonjë informacion se çfarë ka bërë firma, por besoj se suvatimet e mobiljet.“– thotë zoti Çupa në një prononcim për Hashtag.al.
Ai thotë se në këtë ndihmë modeste të para dy viteve, kanë kontribuar edhe banorët: “Kanë ndihmuar edhe disa banorë të njësisë administrative, për të larë hakun e punës.”
Ndërkohë përfaqësuesin e grupit “Balfin”, z.Kondi e kemi pyetur që të na sqarojë edhe për këtë pjesë.
“Ne nuk kemi thënë në asnjë rast se kemi ndërtuar shtëpinë nga themelet. Ne kemi rindërtuar (rikonstruktuar) plotësisht shtëpinë e familjes Kurti e cila ishte pa dyer e dritare, pa suva e pa bojë. Albchrome ka bërë arredimin e plotë të kësaj shtëpie, me çdo pajisje dhe mobilim të nevojshëm, pasi shtëpia ishte në kushte skandaloze jetese dhe nën kujdesin e veçantë të presidentit të Grupit Balfin z. Samir Mane, është bërë e mundur nisja e kurimit të menjëhershëm të vajzës së mitur me probleme serioze shëndetësore të familjes. Dhe gjithashtu do të përballohet operacioni i saj nëse do të jetë i domosdoshëm me shpenzimet e Fondit Balfin. Gjithashtu për 3 vjet, familja Kurti do të marrë asistencë mujore ushqimore nga Spar Albania.”– sqaron Kondi.
Për ata që nuk janë ekspertë të fushës së ndërtimit, është e lehtë të konfuzohen me përdorimin e termave “rindërtim” dhe “rikonstruksion” të cilët nuk janë sinonime me njëra-tjetrën. Sipas një shpjegimi nga Ministria e Infrastrukturës në rregulloren e zhvillimit të territorit, me “Rindërtim” kuptojmë “punimet që konsistojnë në prishjen dhe rindërtimin me të njëjtin vëllim dhe formë të objektit të mëparshëm”.
Hashtag.al nuk po kritikon aspak grupin “Balfin” apo “Fundjavë Ndryshe”, për ndihmën që i kanë dhënë familjes Kurti. Shumë mirë kanë bërë. Problemi qëndron në pjesën se si u raportua e gjithë historia, për shkak se mediat e tjera e morën të mirëqenë se familja është nga Bulqiza e kromit dhe se shtëpia është ndërtuar nga fillimi duke mos përmendur as faktin se kush e kishte ngritur atë nga themelet në çati./Përgatiti për Hashtag.al, Dajana Dobrozi