Shkarkohet nga detyra Shefi i Policisë së Qarkullimit Rrugor në Dibër, Robert Aga, pasi vëllai i tij u arrestua mbrëmjen e kaluar për trafik droge.
Shtatë persona kanë rënë në pranga pas një operacioni antidrogë, që u zhvillua mbrëmjen e kaluar në Tiranë, nga policia e kryeqytetit, Durrësit e Fierit. Mes tyre është edhe Pajtim Aga, vëllai i shefit të policisë së Dibrës, Robert Aga.
Vëllai i shefit të policisë, Pajtim Aga njihet si biznesmen në qarkun e Dibrës, ku prej disa vitesh ka hapur një televizion kabllor. Por ai është i njohur dhe nga policia.
Më 25 shtator 2016, ai u arrestua nga Policia e Lezhës pasi iu gjetën 320 gramë kokainë. Dy vite më vonë, djali i tij Mateo, 21 vjeç, u zhduk pa lënë gjurmë në Maqellarë. Asokohe familjarët dyshonin se djali mund të jetë rrëmbyer dhe që prej asaj kohe, nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Ndërkohë vëllai i tij, Robert Aga u shkarkua menjëherë pas arrestimit të Pajtimit. Edhe emri i Robert Agës është përfolur shumë në media shumë vitin që kaloi, për shkak se emri i tij doli në përgjimet e gazetës gjermane BILD, për blerjen e votave në bashkinë e Peshkopisë në votimet e shatorit të 2016-s.
Në audion e Bild, Robert Aga i cili ishte shef policie dëgjohet duke folur me ish-ministrin Damian Gjiknuri, deputetin Xhemal Qefalia, Ulsi Manjën dhe ish-ministrin Saimir Tahiri. Këtij të fundit Aga i thoshte se ishte “ushtari i tij”.
DETAJET E POLICISË për arrestimin e Pajtim Agës
Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “TRANZIT”.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe DVP Dibër.
Vihen në pranga 7 persona.
Sekuestrohen 32.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa në formë çokollate.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe DVP Dibër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “TRANZIT”, si rezultat i të cilit bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- R., 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale ”Moskallëzim krimi”.
- A., 51 vjeç, banues tek ish-stacioni i Trenit, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim.
Sh. M. 51 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë, i dënuar për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”.
- M., 20 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
- D., 37 vjeç, banues në Shëngjin.
- P., 32 vjeçe, banuese në Gjirokastër.
- H., 38 vjeç, banues në Lezhë.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme në Drejtorinë e Policisë se Shtetit dhe DVP Dibër ishin grumbulluar informacione në rrugë operative se shtetasit e lartpërmendur kishin siguruar lëndë narkotike të llojit “Cannabis sativa në formë çokollate” në shtetit grek, lëndë të cilën e kishin kaluar nëpërmjet kufirit nga Konispoli, nëpërmjet dy shtetasve me banim në Gjirokastër.
Me pas lënda narkotike do transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për ta nisur më vonë në një qytet në veri të vendit, për ta trafikuar jashtë Shqipërisë
Gjatë operacionit në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 32.5 kg lëndë narkotike canabisa sativa në formë çokollate, 6 aparate celulare dhe 2 automjete
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.