Cikli parashkollor në Përrenjas bën mësim në një ambient shkolle fetare, pasi ambientet e çerdhes së qytetit përdoren për zyra bashkie.
Përfaqësuesit e shkollës fetare thonë se teologjia e tyre nuk lejon që në këto ambiente të hyjnë gra dhe fëmijë.
50 fëmijët e ciklit parashkollor në qytetin e Prrenjasit bëjnë mësim në ambientet e medresesë, ambiente në të cilat japin mësim hoxhallarë për besimtarët e fesë islame.
Që prej tetorit të vitit 2019 këto fëmijë marrin mësim në një ambient të përbashkët edhe pse janë 2 grupe, duke u ndarë vetëm me një raft librash. Në një dysheme të shtruar me çimento të varfër dhe me një tapet të vjetër sipër, qëndrojnë për orë të tëra vogëlushët.
Dy edukatoret shprehen se kanë shumë vështirësi dhe se kushtet janë të papërshtatshme, por që janë të detyruara të qëndrojnë në këto ambiente. ” Nuk kemi çfarë bëjmë, këto kushte kemi, nuk na kanë thënë sesa do qëndrojmë dhe pse në fillim na thanë përkohësisht” shprehet njëra nga edukatoret. Ndërsa edukatorja tjetër na tregon se drejtuesit i kanë orientuar dhe se si duhet të hyjnë në këto ambiente duke respektuar fenë e tyre, pra duke i hequr këpucët pa hyrë tek dera e jashtme.
Gazetarët kërkojnë një përgjigje nga drejtoresha e shkollës 9 vjeçare “Qyrba Sokoli” , pasi dy klasat e parashkollorit kanë bërë mësim deri në tetor në këtë shkollë.
Drejtuesja e shkollës tha për gazetarët se njihet me problemin, por që është e pamundur të ndryshojë situatën . ” Fëmijët tani po bëjnë mësim tek medreseja, atje është vetëm një ambient i përkohshëm dhe që presim nga bashkia të na mundësojë ndonjë ambient tjetër, më përpara në këtë shkollë ato kanë bërë mësim pasdite, por që nuk na e lejon ligji që të vijnë pasdite” thotë drejtoresha .
Ajo tregon se do shoh mundësinë që të kalojë ndonjë nga klasat e ciklit fillor ose nëntë-vjeçar pasdite, megjithëse ka hasur rezistencën e prindërve. Ndërkohë për ambientet e çerdhes që shërbejnë si zyra bashkie ajo thotë që këtë vendim e ka marrë bashkia. Përgjegjësi i arsimit në këtë të fundit u shpreh se nuk kishte dijeni se ku bënte mësim parashkollori, pasi kishte vetëm një muaj e gjysëm që ishte emëruar në këtë post, ndërsa inspektori i arsimit tregoi se ishte në dijeni të problemit, edhe kryetari ishte në dijeni dhe se do merrnin masa shumë shpejt.
Pas të gjitha këtyre fakteve gazetarët e Fiksit takuan edhe zv.drejtorin e medresesë i cili tregoi se ne këtë institucion nuk duhet të hyjnë femra dhe as fëmijë, ai thotë ky ambient nuk duhet të jepej, por që e ka dhënë drejtori i mëparshëm. Sipas tij në këto ambiente hyjnë vetëm individë që i takojnë fesë islame.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Top Channel