Të përballur me neglizhencën e shtetit lidhur me kërkesat e tyre lidhur me kontratën që kanë me kompaninë “AlbChrome”, minatorët e Buqlizës do të marshojnë nesër drejt Tiranës.
Lajmi për tubimin është bërë i ditur nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e krijuar vetëm para disa muajsh. Minatorët do të mblidhen rreth orës 11:00 përpara Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë.
“Drejt Tiranës për protestë!
Shteti mbahet në këmbë nga djersa jonë, por ai nuk kujdeset për fatin tonë. Ky shtet i korruptuar është bërë palë me shtypësit e minatorëve.
Ministria e Financave nuk na përgjigjet për kontratën kolektive. Kryeministri Rama krenohet që në Shqipëri nuk ka sindikata. Inspektorati i Punës mbyll sytë përpara aksidenteve fatale në minierë dhe shkeljeve të rënda të Kodit të Punës. Për minatorët nuk flet as Radio Televizioni Shqiptar, në shkelje të plotë të ligjit për të drejtën e informimit që qytetarët shqiptarë duhet të gëzojnë.
Në këto kushte, ne minatorët e Bulqizës, pas një beteje dymujore të pabarabartë me kompaninë AlbChrome, të dielën do të marshojmë në protestë përballë institucioneve shtetërore në Tiranë.
Nga e hëna në të shtunë rrezikojmë jetën për të nxjerrë krom. Të dielën do të nisemi drejt Tiranës për t’u kërkuar llogari institucioneve publike që duhej të ishin në anën tonë.
U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të na mbështesin në betejën për këto kërkesa jetike: të drejtën e negocimit të kontratës kolektive, rritjen e pagës, rishikimin e normës, njohjen e vështirësisë dhe vjetërsisë në punë, dëmshpërblimin për aksidentet në punë, ndaljen e presioneve dhe kthimin në punë të minatorëve të pushuar padrejtësisht nga puna.
Miniera është pasuria jonë e përbashkët.
Të dielën, 26 janar, në orën 11:00 mblidhemi te Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Bulevardi Dëshmorët e Kombit).
Bashkohu me minatorët!”- thuhet në njoftim.
Minatorët në Bulqizë kanë protestuar vazhdimisht muajt e fundit përpara portës së minierës së kromit të “AlbChrome”, për të kërkuar të drejtat e tyre, mirëpo janë përballur me heshtje nga ana e institucioneve dhe janë censuruar nga mediat (kryesisht televizionet), të cilat nuk i kanë mbuluar protestat e tyre.
Pas protestave, kompania “AlbChrome” e Samir Manes ka shkarkuar nga puna disa prej minatorëve të anëtarësuar në sindikatë, mes tyre edhe kryetarin Elton Debreshi, si dhe nuk u pagoi as bonusin e fundvitit.
Kërkesat e minatorëve:
- – Negocimi i Kontratës së re Kolektive me SMBB;
- – Rritje page;
- – Rishikim normash;
- – Pagesa e bonusit të fundvitit;
- – Njohje e vështirësisë dhe vjetërsisë në punë;
- – Dëmshpërblim për aksidentet në punë;
- – Ndalimi i presioneve ndaj minatorëve;
- – Rikthimi në punë i 4 drejtuesve të SMBB-së, të pushuar në mënyrë të paligjshme./Hashtag.al