Banorët e Thumanës, një nga zonat më të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk kanë gjetur ende një zgjidhje për strehimin.
Situata paraqitet e njëjtë edhe për banorëte Durrësit, Lezhës e Tiranës ku ku shumë qytetarë nuk kanë ende një vend ku tyë banojnë.
Në disa nga hotelet ku janë strehuar një pjesë e familjeve që kanë ngelur pa shtëpi pas tërmetit, banorëve u ka shkuar njoftimi që të dalin që andej.
Në disa hotele, veçanërisht në Shëngjin, banorëve, kryesisht të zonës së Thumanës, u kanë thënë se mund të qëndrojnë në hotele deri më 31 janar, megjithatë, situata mbetet kaotike, shkruan Shqiptarja.com.
Sipas banorëve, 31 janari është afati i fundit për të qëndruar në hotele ndërsa shumë prej tyre thonë se nuk e kanë përfituar ende bonusin e qirasë dhe as nuk kanë mundur të gjejnë banesa me qira për shkak të rritjes së çmimit dhe mungesës së banesave.
‘Kemi aplikuar por shtëpia është shumë e shtrenjtë nuk e marrim dot me qira. Na tha ai i bashkisë për të dalë. Kemi kërkuar por nuk kemi gjetur, është shtrenjtë qiraja. Me këto pare që jep bashkia nuk gjen dot shtëpi me qira’, thotë një banor.
Ndërsa një tjetër thotë: ‘Me 12 mijë lekë nuk mund të gjesh një vathë bagëtish. Ku do shkojmë ne. Nuk e di çfarë kërkon kjo qeveri. Të marrë të na pushkatojë këtu në breg të detit. Bashkia thotë dil ku të shkojmë ne. Kam dalë nga varri, më kanë rënë 50 tulla në kurriz. Nuk kam lënë vend pa kërkuar’.