Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit që goditi më së shumti Durrësin e Thumanën e shkaktoi 51 viktima nuk ishte krejt i papritur.
Sizmiologët shqiptarë, në një studim shkencor të vitit 2010, paralajmëronin se periudha 2020-2035 pritej të sillte tërmete të fuqishme në Shqipëri, siç edhe ndodhi në fakt, ndërsa gabimi i tyre është vetëm me një muaj e pak ditë.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Dita, profesori i njohur grek, Spyridon Pavlidis, citon për rrezikun e tërmeteve në këtë periudhë, pikërisht librin e titulluar ‘Sizmiciteti, sizmoteknika dhe vlerësimi i rrezikut tektonik në Shqipëri’, autorët e të cilit janë Shyqyri Aliaj, Siasi Koçiu, Betim Muço dhe Eduard Sulstarova, një botim i Akademisë Shqiptare të Shkencave në vitin 2010.
Por çfarë thotë profesori i njohur grek Spyridon Pavlidis
Në intervistën ekskluzive për Gazetën Dita, ai rrëfen se bashkë me një ekip tjetër shkencëtarësh, janë bazuar pikërisht te studimi i shkencëtarëve shqiptarë, në punën e tyre për kompaninë gazjellëse TAP, në hartimin e hartave gjeologjike e sizmologjike.
Profesori grek thekson se gjatë studimit të terrenit dhe ndërtimit të hartës për gazsjellësin TAP, ishte bazuar te libri në fjalë, duke thënë se aty përcaktohet qartë se tërmetet e fuqishëm në zona me shumë çarje, siç janë Shqipëria dhe Greqia ndodhin në frekuenca kohore 30-40 vjeçare.
Ai citon katërshen e shkencëtarëve shqiptarë se zona si Durrësi e përreth tij mund të gjeneronin tërmete 6.5 deri 7 dhe 5.8 deri 6.4 Rihter.
Lidhur me tërmetet që pritet të godasin rajonin në këtë periudhë, ai sjell si shembull Stambollin e Turqisë, ku thotë se shumë shkencëtarë po punojnë pasi vlerësohet në brenda 10 viteve të ardhshme, zona do goditet nga një tërmet i fuqishëm.
Në një pjesë të intervistës së tij, Pavlidis thekson se nga studimi i bërë, duke cituar librin e katërshes së shkencëtarëve shqiptarë zona e Durrësit mund të gjenerojë tërmete 5.8 deri 6.4 Rihter dhe 6.5 deri 7.1 Rihter.
Por çfarë ka ndodhur në Shqipëri vitet e fundit deri mëngjesin e 26 nëntorit e pas tij
Pas lëkundjeve që shkaktuan 51 viktima, qeveria e Instagramit u kujdes që të përqendronte të gjithë vëmendjen te aksioni humanitar duke zgjedhur Elvis Naçin dhe të tjerë personazhe për të mbushur televizionet kombëtare e faqet e mediave online.
Pak muaj më parë, presidenti Meta i kërkonte informacion qeverisë nëse ishte e gatshme të përballonte pasojat e një tërmeti të fuqishëm që mund të godiste vendin.
Meta citonte në reagimin e tij një tjetër profesor grek të sizmiologjisë, Akis Tselentis, i cili gjithashtu kishte paralajmëruar për një tërmet që mund të godiste Shqipërinë e rajonin. Asokohe, ministret Xhaçka e Spiropali por edhe deputetë të Partisë Socialiste, e ironizuan kreu e shtetit duke mos e marrë seriozisht paralajmërimin.
Opozita nga ana e saj zgjodhi ‘të ngushëllonte’ qeverinë nën moton e të mos bërit politike më fatkeqësinë.
Ajo që mund të thuhet është se askush nuk foli për rreziqet e paralajmëruara nga shkencëtarët shqiptarë në studimin e botuar 10 vjet më parë.
Asnjë televizion kombëtar dhe asnjë media nuk është marrë më kërkimin e këtij informacioni dhe sjelljen në sytë e publikut.
Asnjë media nuk ka trajtuar seriozisht procedurat si e kanë trajtuar institucionet shqiptare çështjen e ngjarjeve të tilla, masat e marra, informimin e publikut, ndërtimet pa kriter e standartin e tyre sidomos në qytetin e Durrësit e rrethinat e tij.
Siç e thotë profesori i njohur grek e shumë shkencëtarë të tjerë, një tërmet nuk mund të parashikohet saktësisht, por veprimtaria sizmike mund të matet dhe një shtet, qeveri e media serioze mund të bëjnë që pasojat e tij të jenë sa më të vogla.
*Profesor Spyridon Pavlidis është paleosizmolog, shef katedre dhe profesor prej 40 vitesh në Universitetin e Selanikut dhe ka reputacion të lartë në Europë për studimet mbi sjelljen e tërmeteve bazuar te historiku i tyre. Ai e njeh shumë mirë Shqipërinë pasi ka punuar me sizmologjinë e truallit shqiptar dhe me homologët e tij shqiptarë që prej vitit 1989.
VINI RE: Intervistën e plotë të Profesorit Spyridon Pavlidis për Gazetën Dita e shihni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=S0XwzCrVSS8