Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me bizneset në qytetin e Durrësit.
Pas një bashkëbisedimi me qytetarët, Basha tha se tërmeti i 26 nëntorit ka patur ndikim të drejtpërdrejt tek rënia e konsumit, ndërsa shprehet se ka nisur “dimri ekonomik”.
Ai tha se PD ka përpiluar një plan me pesë pika, pasi ishte konsultuar me përvojën italiane, të cilën ia ka paraqitur qeverisë.
Pjesë nga fjala e Bashës:
“Tërmeti ka patur ndikim të drejtpërdrejtë tek ekonomia, tek rënia e konsumit. Dhe në radhë të dytë tek indikatorët që po shohim dhe se si po ndikon tek ekonomia e Durrësit dhe tek zonat e tjera të goditura, dhe padyshim si e përcjell këtë në Tiranë.
Për një gjë tjetër më vjen keq, që dy muaj më parë, pas bisedës tonë të parë ne bëmë një plan me pesë pika duke marrë përvojën italiane. Dhe i kërkuam qeverisë të merrte pesë masa të thjeshta:
- Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
- Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
- Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
- Përjashtimin nga TVSH për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
- Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Këtu me thënë të drejtën mund të kishim futur edhe shpenzimet të paktën për periudhën e emergjencës një mujore edhe shpenzimet e telefonisë celulare. E bëjnë turqit. Veçanërisht në atë periudhë sa hapesh me reklama e me kaq dhurova unë, e kaq dhurove ti; këtë kërkesë në fakt duhet t’ia kisha shtruar që në fillim kompanive të telekomunikacionit që për zonën e goditur të kishin bërë komunikimin falas për ata numra që janë regjistruar në atë zonë sepse edhe diçka praktika. Shumica prej tyre janë me pagesë, dhe ato ditë të para sa të shkonin të paguanin atë 10 mijë lekësh për të rimbush kartën e telefonit t’ua jepte këtë lehtësi.
Natyrisht këto që i kemi nxjerrë si pika i kemi nxjerrë bazuar në përvojat më të mira europiane edhe mbi ato që dëgjova nga ju kur u takova për herë të parë. Por në fakt ky nuk mund të jetë një veprim spontan. Kjo duhet të jetë një praktikë e qeverisë.
Menjëherë sapo nxora këto pesë pika, dëgjova nga ana e qeverisë që tha “Disa nga pikat që ka nxjerrë Lulzim Basha janë në hartim e sipër”. Se çfarë ka ndodhur pas “hartimit e sipër”, unë nuk e di. Ndoshta unë jam i painformuar. Por kjo nuk ka gjasa, sepse kryetari i opozitës është njeriu i dytë më i informuar në Shqipëri, pas të parit të qeverisë. “- tha Basha.
Por nëse jam i pa informuar dhe situata këtu është ndryshe nga sa me thonë informacionet dhe burimet e mia, ma thoni. Por sipas informacioneve dhe burimeve të mia situata është njësoj dhe në disa aspekte, shumë më keq.
Kanë filluar efektet e para të asaj që e kam quajtur dimri ekonomik. Më thonë që afro 25% më shumë është rritur falimentimi i biznesit të vogël. Ndërkohë që kostoja që ka përcjellë tërmeti dhe pasojat e tërmetit edhe tek biznesi jo i vogël dhe biznesi madh dhe biznesi prodhues në tërësi, tani po fillon të ndihet kafshimi i kësaj kostoje dhe po fillon të përkthehet në disa raste edhe në largim njerëzish nga puna. Sepse është edhe një nga zërat e para që biznesi redukton kur nuk është në gjendje të përgjigjet financiarisht.
Kjo natyrisht është një situatë katastrofike.
E para arsye përse doja t’ju takoja dua të di situatën tuaj reale. Dua të përsëris dhe te sensibilizoj sa të mundem, se nuk ka përse të jetë kështu. Nuk jemi me duart përpjete së nuk kemi çfarë të bëjmë. Atë formulë që dhamë para dy muajsh e kemi edhe sot. Nuk mundet që të jemi edhe në emergjencë dhe të sillemi sikur jemi në luks. Edhe të jesh në emergjence dhe ta zgjasësh deri në mars dhe ndërkohë që vazhdon pagesa fiktive, të bëj edhe ndonjë fitim. O je në emergjencë dhe gjithçka mobilizohet si në emergjencë. E para që mobilizohet në emergjencë është financa. Ligji i emergjencave është bërë që ti japë Këshillit të Ministrave dhe Qeverisë lehtësira në mënyrat se si të disponojë buxhetin; që të mos ketë të njëjta procedura të alokimit të fondeve; që të mos ketë të njëjta procedura të tenderimit. Për këtë është bërë ligji i emergjencës se nuk ka gjë tjetër. Mirë që struktura e emergjencës u pa që nuk ekzistonte, por të paktën kaluan dy muaj, si nuk është marrë asnjë masë. Dhe se kam me asnjërin prej jush personalisht, edhe pse secili prej jush e ka hall personal, ka hall familjar dhe qindra familjeve që ushqehen me biznesin. Këtu kemi të bëjmë me interes qytetar dhe kombëtar. Kemi të bëjmë me interes publik. nuk ka më kohë, në një mënyrë apo tjetër duhet ti’ japim zgjidhje. Edhe në qoftë se qeveria aktuale nuk është e gatshme, kemi një arsye më shumë për të bërë çfarë është e mundur për t’i dhënë zgjidhje.