Vendosni fjalën kyçe....

Pasi u shpall fajtor për shpërdorim detyre, Saimir Tahiri angazhon për lobim një kompani amerikane


Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duket se ka angazhuar një kompani amerikane për të lobuar pas shpalljes së tij fajtor nga gjykata për shpërdorim detyre dhe largimit të tij nga qeveria.

Siç shkruan Radio Evropa e Lirë, angazhimi i kompanisë ‘Stone Strategic Solution (SIII)’ nga ana e zotit Tahiri është raportuar te Departamenti i Drejtësisë, bazuar në legjislacionin e njohur si Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Jashtëm (FARA).

Sipas dokumentacionit, Tahiri ka angazhuar kompaninë amerikane për ta ndihmuar në “komunikimet me anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Departamentin e Shtetit, Departamentin e Drejtësisë dhe komunitetin e inteligjencës, në lidhje me dorëheqjen e tij nga qeveria dhe çështjet që ndërlidhen me betejën e tij ligjore në Shqipëri”.

Në dokument, mes tjerash, përmenden edhe “fushatat e keqinformimit dhe pretendimeve të rreme në media, që në shënjestër kanë zotin Tahiri”.

Kompania SIII, me seli në Bukuresht të Rumanisë, është angazhuar nga zoti Tahiri më 14 janar, 2020, për një periudhë tremujore, deri më 14 prill, 2020, me mundësi zgjatjeje. Çmimi bazë për këtë tremujor do të jetë 20,000 euro.

Kujtojmë se Saimir Tahiri u shpall fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në shtator të vitit të shkuar për shpërdorim detyre, ndërsa akuzat për trafik droge nuk u provuan.

Ai u dënua me 3 vjet e 4 muaj shërbim prove, për shkak të gjykimit të shkurtuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *