Vendosni fjalën kyçe....

Rusia merr vendimin për të larguar të huajt e prekur me koronavirus


Kryeministri i Rusisë Mikhail Mishustin ka pranuar se vendi ka urdhëruar dëbimin e të huajve që janë të infektuar me koronavirusin e ri.

Kryeministri ka urdhëruar vendosjen e koronavirusit në listën e sëmundjeve që janë shumë infektive, që mundëson masa më të rrepta ndaj shtetasve të huaj me shenja sëmundjeje, përfshirë karantinën dhe dëbimin.

“Tani koronavirusi i ri është shtuar në listën e sëmundjeve shumë infektive. Kjo do të mundësojë dëbimin e shtetasve të huaj, nëse vërtetohet se kanë këtë sëmundje dhe shpalljen e masave të veçanta kufizuese, duke përfshirë izolimin dhe karantinën”, tha Mishustin në takimin ditor me zv/kryeministrat në Moskë.

Sipas asaj që raporton Anadolu Agency, Mishusit gjithashtu rikujtoi se Rusia ka mbyllur kufijtë me Kinën, ka suspenduar qarkullimin në kufirin mes Rusisë dhe Mongolisë, si dhe ka ndaluar përkohësisht dhënien e vizave për grupet turistike dhe vizat e punës për qytetarët kinezë.

Në mënyrë shtesë, Mishustin është pajtuar të prolongojë Forumin e Investimeve në Soçi, të planifikuar për në mes të shkurtit, ku 500 nga 2.000 pjesëmarrësit e regjistruar janë nga vendet ku janë konfirmuar zyrtarisht raste të koronavirusit.

Deri më tani, koronavirusi i ri ka shkaktuar vdekjen e të paktën 361 personave në Kinë, ndërsa mbi 17.200 të tjerë janë infektuar.

Koronavirusi i ri, i cili për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan në rajonin Hubei të Kinës, thuhet se është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët, transmeton tch.

Që nga paraqitja e virusit, Kina e ka bllokuar qytetin Wuhan në përpjekje për të parandaluar virusin dhe ndërtoi një spital me kapacitet prej 1.000 personave për të trajtuar të infektuarit.

Përpos Kinës, raste janë raportuar edhe në Tajlandë, Japoni, Singapor, Australi, Malajzi, SHBA, Francë, Gjermani, Korenë e Veriut, Korenë e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kanada, Vietnam, Itali, Spanjë, Suedi, Britani të Madhe, Rusi, Nepal, Kamboxhia, Filipine, Sri Lanka, Finlandë dhe Indi.

Siç ka njoftuar dje Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), një 44-vjeçar ka humbur jetën nga koronavirusi në Filipine, që është vdekja e parë e konfirmuar jashtë Kinës. Personi ishte shtetas kinez nga qyteti Wuhan, ku u zbulua për herë të parë virusi.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen në aeroportet në mbarë botën. Disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në qytetin Wuhan.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *