Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbledhur qeverinë duke theksuar që në fillim se takimet me ministrat do jenë të shpeshta për bashkërenduar punën.
Ndër të tjera ai theksoi se qeveria është pasqyra në të cilën qyterarët shohin veten.
‘Mos të harrojmë, qeverisja jonë është pasqyrë në të cilën qytetarët do të shohin vetveten, të jetë kjo pamje që ata duan ta shohin vazhdimisht’, tha Kurti.
Më tej ai vuri në dukje se 100 ditët e para të qeverisë do jenë të zëna me punë maksimale dhe se mundësitë për sukses janë të mëdha.
‘100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim dhe përkushtim maksimal, karriget i kemi por më shumë do të rrimë në këmbë, programi ynë është ambicioz, por edhe pritjet e qytetarëve. Sytë e të gjithë popullit janë tek ky kabinet qeverisës. Mandati duhet të jetë më shumë për të shërbyer e jo për të urdhëruar. Shanset për sukses i kemi të mëdha’, shtoi ai, raporton Koha.net