Në anijen ku rezultuan të infektuar 20 pasagjerë, pasagjerët e bllokuar atje e në veçanti ata australianë, ankohen për kushtet e qëndrimit.
Siç shkruan Daily Mail, pasagjerët ankohen se po trajtohen si të ishin në burg dhe sidomos për racionet e ushqimit që u dërgojnë në dhomat e tyre.
Udhëtarëve u është kërkuar të qëndrojnë në kabinat e tyre dhe nuk lejohen të largohen nga anija deri në dy javë, pas frikës së përhapjes së koronavirusit në masë.
Olivia Capodicasa, e cila është një nga 233 australianët që ndodhen në bord i ka përshkruar si ferr kushtet e qëndrimit atje. Ajo thotë se ka shikuar filma tërë kohën.
“Ka qenë një ferr prej 24 orësh e mbërthyer këtu”, i tha ajo “Sunrise” këtë mëngjes.
“Unë mendoj se me të vërtetë po fillon të më godasë tani e frikësohem se ky është realiteti dhe nuk do të shkoj në shtëpi së shpejti”– thotë Capodicasa. Sipas saj, kontakti i vetëm i pasagjerëve me zyrtarët ka qenë përmes kapitenit i cili ka bërë njoftimet në të gjitha dhomat. Ajo tha se u është kërkuar që të plotësojnë formularët nëse kanë nevojë për ilaçe.
Ndërkohë një tjetër çift australian, Karen dhe John Welch thonë se nuk kanë mësuar asgjë se kur mund të largohen.
“Ne nuk kemi dëgjuar asgjë. Uroj që ata të merreshin me punën. Ata duhet të na heqin nga kjo anije” – tha Z. Welch.
Ndërkohë një pasgjer britanik, David Abel, tha se me pasagjerët e tjerë po mbajnë kontakte përmes telefonit, pasi nuk lejohen të dalin nga dhomat e tyre.
Ai tregoi se si darkat luksoze ishin zëvendësuar me ushqim të racionuar, të ofruara nga stafi me maska për fytyrën.
“Është thjesht një lundrim i zgjatur dy-javor, por nuk do të jetë një lundrim luksoz, do të jetë si një burg lundrues” – tha Abel.
Pasagjerë të tjerë kanë shpërndarë në rrjetet sociale fotografi të ushqimit të tyre, duke përfshirë bukë me djathë dhe mish, pjata me pulë me oriz dhe një ëmbëlsirë çokollate.
Ndërsa në derën e një kabine kishte një kërkesë për t’i dërguar një mëngjes anglez.
Dhjetë nga personat e parë që rezultuan të infektuar (dy australianë, një amerikan, tre të ftuar nga Hong Kongu, dy nga Japonia dhe një anëtar i ekuipazhit filipinas), u nxorën nga rojet bregdetare japoneze dhe u dërguan në spitalet e afërta të mërkurën. Ditën tjetër, dhjetë pacientë të tjerë u konfirmuan si të infektuar.
Më shumë se 200 pasagjerë prisnin me padurim rezultatet e testit ndërsa pjesa tjetër akoma nuk është testuar.