Të dy motorët e helikopterit që u rrëzuan në një kodër në Kaliforni muajin e kaluar, duke i marrë jetën basketbollit Kobe Bryant dhe tetë të tjerë, nuk treguan asnjë dëshmi të një “keqfunksionimi të brendshëm”.
Siç shkruan Reuters, gjetjet paraprake të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB), 12 ditë pas aksidentit, nuk treguan shenja të dukshme të problemeve mekanike që mund të kenë kontribuar në përplasje.
NTSB tha: “Seksionet e shikueshme të motorëve nuk treguan asnjë dëshmi të një dështimi të brendshëm të pakontrolluar ose katastrofik.”
Raporti prej 11 faqesh nuk përjashton që probleme mekanike ende mund të identifikohen kur motorët dhe pjesët e tjera të rikuperuara të çmontohen dhe ekzaminohen më nga afër.
Vdekja e Kobe Bryant, trishtoi tifozët dhe atletët e tjerë anembanë globit. Ai do të merrte pjesë në një turne basketbolli për të rinjtë, ku merrte pjesë dhe vajza e tij Giana e cila ishte mes viktimave. Mirëpo helikopteri me të cilin po fluturonin ata dhe 8 persona të tjerë, u përplas në një kodër.
Dy ditë pas tragjedisë u tha se mjegulla dhe kushtet e pafavorshme të motit, ishin shkaku kryesor i përplasjes.
Video dhe fotografitë e publikuara në rrjet nga dita e aksidentit, tregojnë se helikopteri po zhdukej në re momente para se të binte.