Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti kundër 2 marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë: U bënë pa autorizimin tim


Kryeministri i Kosovës, Kurti, ka deklaruar pas përfundimit të takimit të Mynihut se është kundër marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë, atë për autostradat e atë për transportin hekurudhor.

Sipas Kurtit, ato janë nënshkruar nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri i Transporteve dhe nuk kanë marrë autorizim nga qeveria e re për të negociuar apo nënshkruar marrëveshje.

Marrëveshjet e sotme nga pala kosovare u nënshkruan nga Xhemë Veseli, drejtori i Transportit Rrugor dhe Ramë Quvepa, drejtor i Infrastrukturës Rrugore ndërsa të pranishëm ishin edhe presidentët Thaçi për Kosovën e Vuçiç për Serbinë.

‘Sot në Munih janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare’, ka shkruar Kurti.

Më tej, kryeministri i Kosovës shkruan në reagimin e tij në Facebook se pavarësisht rëndësisë së zhvillimit të infrastrukturës, marrëveshjet duhet të jenë transparente dhe në interes të Kosovës.

‘Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së. Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare. Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet.’ – mbyll statusin, Kurti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *