Vendosni fjalën kyçe....

Kryepeshkopi Janullatos merr çmimin ndërkombëtar, Meta: Kontributi i tij afirmon Shqipërinë si vend i harmonisë fetare


Kryepeshkopi Anastas Janullatos, është vlerësuar me çmimin ndërkombëtar “Klaus Hemmerle 2020”.

Presidenti i vendit Ilir Meta e ka përgëzuar Janullatos për çmimin, të cilin e ka cilësuar si një vlerësim të merituar dhe thekson se kontributi ndërkombëtar i kryepeshkopit ka ndihmuar në afirmimin e Shqipërisë, si vend i lirisë dhe harmonisë ndërfetare.

“E përshëndes vlerësimin e merituar të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, me çmimin ndërkombëtar “Klaus Hemmerle 2020”, për kontributin e Tij të shquar për përqasjen dhe bashkë-ekzistencën paqësore.

Krenar për rolin e çmuar të Fortlumturisë së Tij dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në veçanti, për forcimin e harmonisë ndërfetare, kësaj vlere kombëtare dhe modeli unik në mbarë botën.

Kontributi ndërkombëtar i Kryepeshkopit Janullatos ka ndihmuar në afirmimin e shkëlqyer ndërkombëtar të Shqipërisë, si vend i lirisë dhe harmonisë ndërfetare.

I gëzuar që ky lajm i mirë vjen pak ditë pasi në emër të Shqipërisë i konfirmova Sekretarit amerikan të Shtetit, Michael Pompeo se jemi të përkushtuar në mbështetjen dhe fuqizimin e Aleancës Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Avancimin e Lirive Fetare.”- shkruan Meta.

Çmimi me të cilin është vlerësuar Janullatos, jepet një herë në dy vjet, nga Lëvizja e Fokolarëve për personalitetet ndërkombëtare që kanë kontribuar në përqasjen dhe në mirëkuptimin e komuniteteve me tradita të ndryshme kulturore e fetare.

Fokolarët janë një “Lëvizje për ripërtëritje shpirtërore dhe sociale” romano-katolike, që ka për qëllim arritjen e paqes dhe të bashkekzistencës paqësore midis njerëzve dhe popujve. Ata numërojnë reth 140.000 anëtarë dhe veprojnë në 180 vende.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *