Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur se së shpejti do të tërheqin pasagjerët amerikanë që ndodhen në karantinë në anijen Diamond Princess.
Sipas mediave të huaja mësohet se SHBA do të dërgojë një avion në Japoni, për të sjellë në SHBA pasagjerët amerikanë që kanë ngecur në këtë anije. Lajmi është konfirmuar edhe nga ambasada Amerikane në Tokio, ku sipas tyre avioni i shpëtimit do të mbërrijë në Japoni të dielën më 16 shkurt.
Megjithatë të gjithë të kthyerit në SHBA do t’i nënshtrohen sërish një karantine për 14 ditë sapo të arrijnë në SHBA.
Anija e pasagjerëve ka qenë në karantinë, që prej se arriti në Yokohama më 3 shkurt, pasi një person që kishte zbarkuar në Hong Kong – përpara se anija të lundronte drejt Japonisë – ishte diagnostifikuar me koronavirusin e ri.
Në bordin e kësaj anije janë rreth 3,700 pasagjerë, ku 67 prej tyre janë diagnostifikuar me virusin e ri, kanë njoftuar autoritetet japoneze. Ndërkohë në këtë karantinë ka të prekur edhe tre persona nga Maqedonia e Veriut.