Vendosni fjalën kyçe....

Voltana Ademi pas eksplozivit në makinën e Licit: Nuk ka probleme te Vllaznia


Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka reaguar lidhur me njarjen që ndodhi sot në Shkodër, ku administratorit të Vllaznisë Suad Lici iu vu eksploziv poshtë makinës.

Ademi ka kërkuar që policia të zbardhë ngjarjen ndërsa përmend që situata në Shkodër është problematike.

 “Lajmin e mësova nga mediat, kam qenë afër dhe kam ardhur me njëherë. Megjithatë unë mendoj t’ia lemë punën policisë. Askush në qytetin tonë askush nuk dëshiron të ndodhin gjëra të tilla, por e përsëris të merret policia me këtë. Kjo si një kërkesë jo vetëm si kryetarja e bashkisë së Shkodrës por edhe si një qytetare.

Mendoj se do duhet të presim rezultatet, pa shkuar në përfundime sepse vetëm në atë rast mund të flasim dhe të nxjerrim problematikat, nëse ka të tilla.

Nuk ka patur probleme me thënë të drejtën. Çdo gjë deri tani ka shkuar shumë mirë në klub. Nuk duhet të ngutemi. Situata në qytetin tonë nuk është aspak e qetë dhe kjo na shqetëson të gjithëve. Ne komunikojmë shpesh me policinë e Shkodrës, të cilët kanë mbështetjen tonë të plotë. Edhe sot kam patur një komunikim. Mendoj se duhet t’i lëmë teknicienët të bëjnë punën e duhur.”– tha Ademi.

Pasi gazetarët i kujtuan kryebashkiakes rastet e kërcënimeve ndaj personazheve të tjerë të klubit të Vllaznisë, Ademi tha se ky nuk është rasti i tillë. Sipas saj atmosfera në klub është e mirë dhe krejt ndryshe nga çka qenë më përpara. Ajo kërkon që të mos dilet në përfundime pa thënë policia fjalën e saj.

“Sot nuk ka një problematikë të tillë te Vllaznia, përkundrazi. Ka një frymë tejet pozitive. Është një situatë e mirë, si te klubi ashtu edhe me tifozerinë. Ngjarjet që sapo përmendët kanë qenë të paprecedente, të cilave nuk iu është dhënë dritë. Kjo peshon mbi drejtësinë, peshon për ata që duhet të ishin marrë me këtë. Për ngjarjen sot, të presim pastaj do jemi këtu për të diskutuar. Nuk mendoj se është çështje për deklarata politike kur bëhet fjalë për sigurinë e njerëzve dhe për rendin.”– tha kryebashkiakja e Shkodrës.

Dita e sotme supozohej të ishte një ditë feste në Shkodër për shkak të 101 vjetorit të Vllaznisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *