Vendosni fjalën kyçe....

Nesër konferenca e donatorëve në Bruksel, Ahmetaj: Nëse mbledhim më pak se 300 milionë euro do vonohet rindërtimi


Të hënën do të mbahet konferenca e donatorëve në Bruksel e organizuar nga Komisioni Europian për Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në një intervistë për Tv Klan, ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, thotë se qeveria pret që nga konferenca e donatorëve të mblidhen 300 deri 350 milionë euro.

Sipas ahmetajt, nëse shifra do të jetë më e ulët kjo do të sjellë shumë vështirësi për zbatimin në kohë të planeve për rindërtimin.

“Nëse ne angazhojmë nesër diçka midis 300 milionë deri në 350 milionë euro, nëse nuk ka bërë ndonjë magji kryeministri le të themi me turin e vet, pra natyrshëm do të shkonte tek 300-350 milionë eurove, ku raporti midis granteve dhe kredive do të ishte diçka tek 70-80 milionë euro vijnë grante dhe pjesa tjetër vijnë kredi të buta që janë të domosdoshme për rindërtimin. Nëse do të ishte një shifër poshtë 300-350 milionë euro e kombinuar grant kredi atëherë do të gjendeshim përballë një vështirësie serioze financiare për të përballuar në kohën që ne duam gjithë pasojat e tërmetit. Ndryshe skenari pastaj do të ishte shumë afatgjatë”, tha Ahmetaj.

Sipas qeverisë, fatura e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit shkon në 985 milionë euro. Ndërkohë rindërtimi kërkon edhe rreth 90 milionë euro më shumë, që shkon në total rreth 1.08 miliard euro.

Komisioni Europian parashikon që konferenca të nisë me nënshkrimin e fondit prej 15 milionë Eurosh që Komisioni ka vendosur në dispozicion të Shqipërisë. Ndërkohë Holanda pak ditë më parë njoftoi se do të dhurojë 3 milionë euro për rindërtimin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *