Vendosni fjalën kyçe....

Naftëtarët e Ballshit në ditën e 2-të të grevës së urisë: Do sjellim dhe familjen se jemi për bukën e gojës, dy kërkesat tona


Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë sot në ditën e tyre të dytë të grevës së urisë dhe kërkojnë zgjidhjen e problemin që kanë me pagat e prapambetura.

Ata iu bashkuan dje punonjësve të nënstacionit të Poçemit në grevë urie, pasi paralajmëruan qeverinë se nëse nuk i jepte pagat brenda ditës do hynin në grevë urie.

Naftëtarët e Ballshit janë vendosur në një nga mjediset e qendrës shëndetësore të Uzinës së naftës dhe shprehen se greva e tyre e urisë është pa afat dhe se do të vazhdojnë deri kur të plotësohen kërkesat e tyre.

 “Ne këtë grevë do ta çojmë deri në fund deri në plotësimin e kërkesave tona. Dy janë kërkesat tona, marrja e pagave dhe rifillimi i punës. Përveç mediave askush tjetër nuk ka ardhur, as nga pushteti lokal as nga parlamenti. Asnjë. Do vazhdojmë deri në zgjidhjen e kushteve tona”, deklaroi një nga naftëtarët.

Ata madje paralajmërojnë se edhe familjarët e tyre do t’u bashkohen në grevë urie.

“Jo vetëm ne por me gjithë familjet tona ne do t’i shkojmë deri në fund sepse po bëjmë grevë ekonomike, nuk po bëjmë grevë politike, siç bëhet çdo herë. Ne jemi këtu për bukën e gojës, jemi të ngujuar këtu, jemi me ilaçe e me probleme e do t’i vemi deri në zgjidhjen e problemit kësaj. Dy janë kërkesat tona, të marrim pagat dhe rifillimin e punës sa më shpejt.”– tha një tjetër.

Vetëm pak kilometra më larg, punonjësit e stacionit të pompimit të Poçemit vijojnë grevën e tyre të urisë për të gjashtën ditë dhe janë në pritje të 27 pagave të papaguara./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *