Në mbledhjen e Task Forcës që po zhvillohet në aeroportin e Rinasit, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albina Fico, tha se në Shqipëri është ndërtuar një karantinë dhe bëhet fjalë për një strukturë spitalore.
Ajo nuk sqaroi se në cilin vend është ndërtuar karantina, por janë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën edhe nëse niveli i rrezikshmërisë do të ndryshojë për pesë minuta.
“Sa i përket masave që marrin shtetet ne nuk mund të komentojmë. Nëse situata ndryshon brenda 5 minutave, ne i kemi masat të marra, keni vendin për karantinim, kemi bërë trajnimet e nevojshme dhe trajnohemi në vazhdim. Jemi të gjithë të qartë dhe të qetë, që protokollet e instaluara në pikat e hyrjes, dhe në momentin kur risku për vendin është i ulët, fakti që virusi është në Itali ose përreth nesh nuk e ndryshon nivelin e riskut brenda, ai ndryshon nga ngjarjet që ndodhin brenda në vend.”- tha drejtoresha e ISHP-së.
Fico shtoi se në laboratorët ISHP-së janë të mjaftueshme kitet dhe ragentët për të kryer analizën e koronavirusit, në rastet kur do të ketë dyshime të mundshme.
“Kemi numrin e duhur të kiteve dhe të ragentëve për të bërë analizat në laboratorët e ISHP-së. Risku për Shqipërinë është i ulët. Fakti që është në Itali, nuk e ndryshon nivelin e riskut brenda në Shqipëri. Alerti është parapërgatitje e mirëmenduar nëse do të kemi disa zhvillime të reja. Ne vijojmë të kemi risk të ulët, nuk kemi rast të konfirmuar”, tha drejtoresha e ISHP-së.