Vendosni fjalën kyçe....

A do i mbyllë Shqipëria kufijtë me Italinë? Manastirliu: Jo masa agresive, do përgjigjemi sipas rrezikshmërisë


Në mbledhjen e radhës të Task Forcës për koronavirusin, që po zhvillohet në aeroportin e Rinasit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u pyet nga gazetarët nëse po konsiderohet mbyllja e kufijve me Italinë,  ku virusi ka shënuar katër viktima dhe mbi 150 të infektuar.

Ministrja u përgjigj se gjithçka do të vendoset në bazë të rrezikshmërisë, e megjithatë theksoi se mbyllja e kufijve realizohet kur ka një shpërhapje të gjerë të epidemisë. Ajo shtoi se edhe në këto raste nuk vendosen masa agresive kombëtare, por izolohen zonat lokale.

“Kjo situatë po trajtohet me shumë përgjegjësi nga të gjitha strukturat. Është momenti të veprojmë në përgjegjësi të plotë, duke garantuar së pari shëndetin e qytetarëve. Në varësi, dhe sipas shkallës së rrezikshmërisë, do të marrim masat përkatëse. Aktualisht Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi. Sa i përket mbylljes së kufijve, unë së bashku me ekspertët, pasi duhet të kuptojmë që procesi po udhëhiqet nga ne, po vlerësojmë riskun dhe do rekomandojmë masat. Sipas shkallës së rrezikshmërisë, do të ketë edhe masa, me qëllimin e vetëm, mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

Për momentin ne kemi dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitare, për të pasur kontroll të imtësishëm. Për çdo vendim që do të marrim, do iu informojmë në kohë reale. Masat do të jenë të bazuara në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Mbyllja e kufijve realizohet kur paraqiten raste, apo kur kemi një shpërhapje të gjerë të epidemisë. Edhe në ato raste, nuk vendosen masa agresive kombëtare, por izolohet rasti, duke u vendosur masa sigurie në zona të caktuara. Të gjitha palët jemi në përgjigje të situatës dhe do përgjigjemi sipas shkallës së rrezikshmërisë”, tha Manastirliu.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *