Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka reaguar më në fund pas denoncimeve për rastin e tëntativës së abuzimit seksual të një mësuesi me një nxënëse të shkollës Jakov Xoxa në Fier e cila mori edhe përshkallëzim të mëtejshëm,
Sipas MASR, personat e përfshirë në ngjarjen e shkollës në Fier janë shkarkuar apo ndjekur penalisht.
“Të gjithë personat e dyshuar si të përfshirë për abuzime ndaj nxënësve në rastin e një shkolle në Fier janë shkarkuar apo janë duke u ndjekur edhe penalisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka marrë masa të tjera të menjëhershme si ndryshimin i pjesëtarëve kryesorë të stafit të institucionit arsimor, dhënien e ndihmës psiko-sociale, ndërsa ndjekim nga afër çdo zhvillim në lidhje me hetimet e organeve kompetente”-thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Më tutje ministria thotë se parandalimi është kyç dhe për këtë rregullorja ka parashikuar dënimet më të larta për abuzuesit.
“Parandalimi është kyç, prandaj rregullorja e re e arsimit parauniversitar parashikon dënimet më të larta për ata që nuk punojnë në të mirën e nxënësve, abuzojnë apo përdorin çfarëdo lloj forme të dhunës në shkollë. Masat janë marrë edhe pse jemi ende në gjendjen e dyshimeve dhe jo përfundimeve finale, që tregon seriozitetin me të cilin MASR dhe institucionet e varësisë marrin në raste të tilla”-thuhet ndër të tjera në njoftim.
Por Ministria nuk ka lënë në fund pa shigjetuar edhe mediat e ndryshme apo persona të cilët drejtuan kritika të shumta drejt institucioneve duke i kërkuar reagim për rastin.
Për këtë ministria thotë se nuk janë trumbetuar në media masat e ndërmarra me qëllim që do mos i bëhet dëm duke eskpozuar personat që ndihet në dëmtuar, duke i shigjetuar mediat se po e shfrytëzojnë “në mënyrë makabre” rastin për qërim hesapesh apo politike.
“Natyrisht, masat e ndërmarra nuk janë trumbetuar në media për shkak se qëllimi ynë nuk është të bëjmë dëm duke ekspozuar ata që ndihen të dëmtuar. Gjë, të cilën po e bëjnë ata që nuk po rreshtin së shfrytëzuari në mënyrë makabre këtë rast për tërheqje vijueshmërie mediatike apo qërim hesapesh politike. Ky është abuzim në vete dhe si MASR kemi detyrimin të luftojmë edhe këtë formë të abuzimit në mbrojtje të nxënësve tanë”-shkruhet në fund të njoftimit.