Zyrtarët e lartë shëndetësorë në SHBA mendojnë se mjekra nuk është një ide e mirë në këtë kohë, për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Një infografikë e publikuar nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregon se si modele të ndryshme të mjekrës mund të pengojnë që maskat e fytyrës dhe respiratorët të vendosen mirë në fytyrë.
Siç shkruan Daily Mail, ky grafik në fakt, fillimisht u publikua në vitin 2017, por është rishfaqur pasi një zyrtar i lartë i CDC-së paralajmëroi të martën se “pyetja nuk është më nëse koronavirusi do përhapet në SHBA, por kur”.
Duke qenë të rruar ose vetëm me mustaqe maska do të përshtatet siç duhet. Por nuk rekomandohet një mjekër e plotë.
Në total, infografika rendit 36 modele të ndryshme, duke filluar nga një fytyrë e pastër e rruar, deri tek mustaqet që varen nën mjekër.