Vendosni fjalën kyçe....

Bashkë me Henri Çilin, në pranga dhe një kandidat për deputet dhe burri i një kandidateje tjetër


Policia e shtetit dha detaje sot për operacionin e koduar “Mezhgorani”, i cili çoi në pranga 28 persona në disa qarqe të vendit, mes tyre edhe botuesin Henri Çili, së bashku me avokatin Ilir Korbi, noteren Shpresa Gjoçaj, dhe personazhe të tjerë të njohur.

Përveç tyre, në pranga ka rënë edhe Ervin Çela, bashkëshorti i kandidates për deputete të PS-së në zgjedhjet e kaluara për qarkun e Gjirokastrës, Matilda Çelës.

Matilda Çela në fushatë

I arrestuar është edhe biznesmeni Sait Fishta, i cili ka qenë pjesë e listave të PS-së për deputet në qarkun e Shkodrës, ku ka qenë i vendosur në vendin e pestë në listë.

Sait Fishta

Kreu i Policisë Ardi Veliu tha se operacioni ka nisur në orët e para të mëngjesit, në kuadër të një procedimi penal të nisur në vitin 2019 për falsifikim të kartëmonedhave. Ai zbuloi se janë arrestuar gjithsej 28 persona, janë shpallur në kërkim 6 të tjerë si dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për 12 të tjerë.

Mes të arrestuarve është edhe botuesi i njohur, Henri Çili. Veliu tha se Çili, akuzohet për kryerjen e veprave penale si “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.

Henri Çili akuzohet se gjatë hetimeve të prokurorisë për operacionin, ka komunikuar me babain e një të burgosuri Arbion Alikos, Adil Aliko, ku i premtonte se do të negocionte me një gjyqtar për lirimin e të birit. Arbion Aliko, është i dënuar me burg përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ndërkohë që vëllai i tij është dënuar me 20 vite.

Sipas News 24, ka dyshime që Çili i mori Alikos një apartament, dyqan dhe prona të tjera me premtimin se do e ndihmonte të nxirrte të birin nga burgu.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *