Vendosni fjalën kyçe....

Policia publikon pamjet e operacionit që çoi në pranga 28 veta, mes tyre botuesi Henri Çili


Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni i koduar “Mezhgorani” i cili çoi në pranga 28 persona, mes të cilëve edhe botuesin e njohur Henri Çili. Në videon e publikuar shfaqet momenti kur të arrestuarit e operacionit “Mezhgorani” dërgohen në Komisariatin e Policisë në Gjirokastër.

Ky operacion i cili është shtrirë në disa qarqe, çoi në pranga, ndaloi ose procedoi gjithsej 53 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Emri që tërhoqi më shumë interes mediatik ishte ai i botuesit të njohur Henri Çili.

Shefi i Policisë Ardi Veliu tha se Çili, akuzohet për kryerjen e veprave penale si “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.

Çili akuzohet se gjatë hetimeve të prokurorisë për operacionin, ka komunikuar me babain e një të burgosuri Arbion Alikos, Adil Aliko, ku i premtonte se do të negocionte me një gjyqtar për lirimin e të birit. Arbion Aliko, është i dënuar me burg përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ndërkohë që vëllai i tij është dënuar me 20 vite.

“Ja pamjet e operacionit policor të koduar “Mezhgorani”

Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin e Prokurorisë Përmet, pas një hetimi 6-mujor, në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2019, për veprën penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, finalizuan me sukses operacionin policor “Mezhgorani“.

Si rezultat i punës hetimore e procedurale nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë Përmet, duke aplikuar metodat speciale të hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ‘’Falsifikimi i dokumenteve dhe kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi”, Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Shpërdorim detyre”.

Gjatë operacionit që ka zgjatur 6 muaj janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar 53 shtetas.

Këtyre personave u janë sekuestruar sekuestruan 3 pushkë automatike me silenciator, 2 kallashnikov, 10 kallëpe tritol, 620 fishekë, 2 granata difensive, 71 krehër fishekësh, 20 automjete te markave të ndryshme, 40 telefona celular, dokumente noteriale, kontrata, certifikata pronësie të ndryshme, rreth 130 kg kanabis, shuma parash prej 10 milion lekësh, 7500 euro, si dhe 3500 euro të dyshuara të falsifikuara.

Në këtë operacion u angazhuan 15 grupe të reparteve të FNSH Shkodër, Fier e Tiranë, Forca e Posaçme Operacionale në Policisë e Shtetit dhe shërbimet e DVP Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier e Shkodër.”– thuhet në njoftimin e policisë.

Përveç botuesit Çili, mes të arrestuarve ka të tjerë emra të njohur, si avokati Ilir Korbi apo noterja Shpresa Gjoçaj. Përveç tyre, në pranga ka rënë edhe Ervin Çela, bashkëshorti i kandidates për deputete të PS-së në zgjedhjet e kaluara për qarkun e Gjirokastrës, Matilda Çelës. Gjithashtu edhe biznesmeni Sait Fishta, i cili ka qenë pjesë e listave të PS-së për deputet në qarkun e Shkodrës, ku ka qenë i vendosur në vendin e pestë në listë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *