Vendosni fjalën kyçe....

Irani anulon faljen e ditës së premte për shkak të koronavirusit


Irani e anuloi faljen e ditës së premte në Teheran dhe 22 qytete të tjera – për herë të parë në disa dekada – për të frenuar përhapjen e një koronavirusi të ri.

Ky ritual, në të cilin zakonisht marrin pjesë dhjetëra-mijëra njerëz, u anulua me këshillë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Autorietet po ashtu kufizuan hyrjen në faltoret kyresore shiite në Kom – epiqendrën e shpërthimit të koronavirusit COVID-19 – dhe në Mashhad.

Ministria e Shëndetësisë e Iranit paralajmëroi se numri i njerëzve të prekur me koronavirus do të rritet në ditët e ardhshme, raporton REL.

Të premten, Irani raportoi për 388 njerëz të infektuar dhe 34 të vdekur.

Irani ka qenë po ashtu burim i shpërthimit të rasteve edhe në vendet fqinje, përfshirë: Afganistanin, Bahrejnin, Irakun, Kuvajtin, Omanin dhe Pakistanin.

Megjithatë, presidenti iranian, Hassan Rohani, përjashtoi mundësinë e izolimit të qyteteve ose qarqeve, duke thënë se vetëm individët që kanë ose dyshohet se kanë koronavirus, do të izolohen.

Koronavirusi e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës.

Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, por që atëherë dhjetëra shtete të botës kanë konfirmuar se kanë njerëz të infektuar.

Shifrat e fundit, të raportuara nga autoritetet shëndetësore të secilës qeveri të premten në Pekin, tregojnë se koronavirusi ka infektuar mbi 83,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 2,800 pacientë kanë vdekur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *