Vendosni fjalën kyçe....

Sot tubimi i thirrur nga Meta për mbrojtjen e Kushtetutës dhe kundër ‘grushtit të shtetit’

Sot do të mbahet protesta e thirrur nga presidenti i vendit Ilir Meta, në mbrojtje të Kushtetutës dhe kundër asaj që ai e quan “grusht shteti”. Tubimi do të nisë rreth orës 17:00, te Bulevardi Dëshmorët e Kombit.

Presidenti Meta ditët e fundit ka publikuar herë pas herë prova që sipas tij vërtetojnë përpjekjen e maxhorancës për të kapur të gjitha institucionet në vend, e veçanërisht Gjykatën Kushtetuese. Ai ka publikuar dhe një skemë se si po bëhet ky grusht shteti.

Meta ka akuzuar qeverinë Rama për miratime të ligjeve antikushtetuese, duke mos respektuar Kushtetutën e Shqipërisë.

“Nga data 2 mars kur do të firmoset dekreti i parë kundër grushtit të shtetit. Pikërisht përpara popullit shqiptar në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit” do të lidhë një besëlidhje për të shpartallur regjimin e oligarkëve, që ka dhunuar sovranitetin me qëllim shpopullimin e vendit dhe shndërrimin në pastrim parash, bazë operacionale e krimit të organizuar.

Ne në 2 mars do tju presim të gjithëve mbasdite në bulevard. Do tju japin fjalën se falë popullit shqiptar nuk do të ketë vetëm një institucion në mbrojtje të interesit publik, por të gjitha institucionet që janë në bulevard dhe kudo, do t’i kthehen popullit shqiptar” – ishte thirrja e presidentit për protestë.

Opozita nga ana tjetër ka treguar mbështetjen e sajme kryedemokratin Lulzim Bashai cili u shpreh se do të ishte në orën 17:00 në Bulevard.

“Si qytetar i vendit tim, si bashkëshort dhe si prind, është detyra ime të mblidhem së bashku me bashkëqytetarët e mi në mbrojtje të kushtetutës! Mirutakofshim nesër në orën 17:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit!”, janë fjalët e Bashës. E pranishme do të jetë edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Ndërkohë maxhoranca është tallur me manifestimin e thirrur nga presidenti, me kryeministrin Edi Rama që herë pas here është shprehur se Meta po përpiqet të bëjë për së dyti besëlidhjen e Lezhës, por e ironizonte duke i kujtuar se ai nuk është “Gjergj Kastrioti”.

 Lidhur me frikën se mund të ketë dhunë në manifestimin e 2 marsit, zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi e ka këshilluar Ramën që të mos mobilizojë policinë kot por t’i dërgojë të luftojnë trafikun e drogës.

Sipas presidencës qëllimi i këtij manifesti është gjithëpërfshirja dhe ka theksuar se vetëm flamujt kuqezi dhe mimozat janë të mirëpritur në Bulevard.

Ky manifestim vjen pas përplasjeve mes Presidencës dhe maxhorancës lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta ka dorëzuar në prokurori një padi ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Dvorani, të cilin e akuzon se po luan rol në përpjekjet e shumicës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu ka kallëzuar në SPAK dhe ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, dhe 2 zyrtarë të tjerë për shkelje të Kushtetutës gjatë zgjedhjes së një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (GJK).

Ministrja replikoi duke thënë se do ta linte drejtësinë të përgjigjej duke i konsideruar absurde akuzat e presidentit. Meta e ka kallëzuar atë për shpërdorim detyre; ushtrim të ndikimit; falsifikim dokumentash; përvetësim kompetencash.

 Meta para pak ditësh publikoi një skemë me 8 hapa, që shpjegonte sipas tij se si ka vepruar maxhoranca për grushtin e shtetit.

Këto hapa sipas tij nisin me vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe përfundojnë me shkarkimin e presidentit të vendit. Thirrja e presidentit Meta për një manifestim në mbrojtje të Kushtetutës, ka gjetur mbështetje të gjerë edhe nga personazhe të njohur si mjeshtri i karikaturës Bujar Kapexhiu, aktori Neritan Liçaj dhe aktivistë të tjerë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj./Hashtag.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *