Vendosni fjalën kyçe....

Policia jep detajet zyrtare mbi helmimin e nxënësve në Fier: Një nxënës ka hedhur sprajt piperi


Policia ka publikuar informacionet zyrtare lidhur me situatën e krijuar në Fier, ku një numër i madh nxënësish janë dërguar në spital me shenja helmimi. Sipas policisë shkak për helmimin dyshohet se është bërë një nxënës i cili ka hedhur sprajt piperi.

“Sot rreth orës 11:10, në spitalin Rajonal Fier kanë shkuar për kontroll mjekësor disa nxënës të një shkolle të mesme që kanë pasur probleme me frymëmarrjen.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe nga veprimet e para të kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Fier, Drejtorinë Arsimore dhe Drejtorinë e Shkollës, paraprakisht dyshohet se është përdorur sprajt piperi nga një nxënës i kësaj shkolle.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për të zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Numri zyrtar i nxënësve të helmuar nuk dihet, por mendohet se numri i tyre është rreth 30. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shkollën “Janar Kilica” në Fier, e njëjta shkollë ku rreth një javë më parë ndodhi një situatë e ngjashme por me më pak nxënës të helmuar. Në rastin e parë u tha se shkak ishte bërë një eksperiment në laboratorin e kimisë.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ministrja e Shëndetësisë, spitali i Fierit apo stafi i shkollës./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *