Nxënësit e shkollës “Janaq Kilica” në Fier janë helmuar sot për të dytën herë brenda një kohe shumë të shkurtër, vetëm 6 ditë. Mbi 30 nxënësit janë dërguar në Spitalin e Fierit sot për të marrë ndihmën e parë mjekësore pasi shfaqën probleme me frymëmarrjen dhe shenja të helmimit.
Çfarë ndodhi më 28 shkurt me nxënësit e gjimnazit “Janaq Kilica”
Pak ditë më parë në datën 28 shkurt 10 nxënës dhe staf i shkollës shkuan në spital për ndihmë mjekësore pasi paraqitën probleme në frymëmarrje ndërsa pas 4 ditësh me po të njëjtat probleme.
Në rastin e parë fillimisht u fol për një eksperiment laboratorik në shkollë ku nxënësit deklaronin se “një erë mbytëse që nuk të linte të merrje frymë vinte nga një klasë që funksionon si laborator”.
Ndërsa mjeku reanimator Kliton Gjerazi deklaroi atë ditë se “dikush thotë se ishte zhurmë saksie, vetëm se erdhi një aromë e keqe që e lidhin me klasën dhe palestrën, na bezdisi fytin. Si erë pesticidesh, diçka kimike që se përcaktojmë ne. Helmimi ka kritere të tjera. Ishin 7 nxënës dhe 3 sanitare e arsimtare. 10 veta“.
Ndërsa drejtuesja e zyrës Arsimore rrëzoi pistën e helmimit nga rrjedhja e gazit, ndërsa specialistja e shëndetit parësor, mohoi se në laborator po bëhej bëhej eksperiment.
“Ndodhen kaldaja të cilat nuk janë vënë kurrë në funksion me lëndën gaz. Nuk nuhatëm erë gazi. Janë orë biologjie”.
Për këtë rast ende nuk u ka rezultate zyrtare lidhur me arsyet pse u helmuan nxënësit.
Ngjarja e sotme
Situata te spitali rajonal ditën e sotme u bë kaotike, me ambulancat që shkonin e vinin për të transportuar nxënësit e helmuar dhe me prindërit e shqetësuar që kërkonin të dinin gjendjen shëndetësore të fëmijëve të tyre.
Prindërit e shqetësuar
Kamerat u larguan jashtë spitalit për shkak se forcat e sigurisë nuk i linin të afroheshin. E prindërit shfaqën akoma më shumë për shkak se rasti është i përsëritur.
Në spital ndodhet edhe Drejtori i Policisë së Fierit i cili ka nxjerrë nga spitali mediat dhe po ashtu edhe Drejtoresha e Arsimit në Fier Yllka Beci. Edhe prokurorët nga Tirana kanë shkuar në ambientet e spitalit.
Ndërkohë edhe dera e shkollës është e mbyllur dhe mediat nuk lejohen.
“Unë po vij që lart. Mori në telefon çupa, tha se është sëmurë. Ka patur coroditje. Kjo është hera e dytë. Hodhën diçka atje por se di njeri. Edhe këtë rast s’di gjë njeri.
Ne si prind nuk dimë gjë. Hera e dytë që ndodh, nga shteti të merret seriozisht se s’ka mundësi. S’i mund të merret një maskara me fëmijët, të helmojë fëmijët.”- tha një prind për “News 24”.
Por një prind tjetër nuk është aq me fat sa të ketë dëgjuar vetë zërin e vajzës së tij në telefon. Një nxënëse e gjimnazit ka humbur kontaktet me familjarët pas helmimit masiv të ndodhur në shkollë si pasojë e gazit lotsjellës.
“Isha te spitali, nuk po e gjej. Po bredh nëpër rrugë nuk e gjej dot. Është në vit të parë. Kemi marrë një shoqe nuk e dinte. Ajo tha se iku në shtëpi kurse goca ime kishte qëndruar në shkollë. Nuk po e gjej dot tani. Quhet Anxhela”, thotë babai i saj për Report TV.
Në fillim u mendua për 7 nxënës të helmuar, por me ambulancat që vijnë e shkojnë njëra pas tjetrës duke transportuar nxënësit në spitalin rajonal, besohet se numri i tyre është mbi 30.
Disa nxënës kanë shoqëruar njëri-tjetrin në spital, por ka patur edhe nga ata që janë dërguar me barrela nga mjekët e ndihmës së shpejtë në spital.
Çfarë thotë policia për rastin e sotëm
Në njoftimin zyrtar të policisë, nuk jepen detaje mbi gjendjen e fëmijëve, ndërsa zbulohet se i dyshuar është një nxënës i cili mendohet se ka hedhur një sprajt piperi në shkollë.
“Sot rreth orës 11:10, në spitalin Rajonal Fier kanë shkuar për kontroll mjekësor disa nxënës të një shkolle të mesme që kanë pasur probleme me frymëmarrjen.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe nga veprimet e para të kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Fier, Drejtorinë Arsimore dhe Drejtorinë e Shkollës, paraprakisht dyshohet se është përdorur sprajt piperi nga një nxënës i kësaj shkolle.”- thuhet në njoftimin paraprak të policisë.
Pas kësaj, foli edhe drejtoresha e shkollës “Janaq Kilica” në Fier, e cila dha të njëjtin version.
Versioni i drejtoreshës
Ajo tha se në shkollë është hedhur një lëndë helmuese, por nuk dihet se çfarë lënde ka qenë. Drejtoresha Firiniqi Fuli pranoi se edhe javën e kaluar nuk bëhej fjalë për një eksperiment në laboratorin e kimisë, por se një nxënës ka hedhur një sprajt.
“Më falni se kam njerëz këtu dhe për momentin nuk ju përgjigjem dot. Është hedhur diçka. është hedhur një lëndë. Nuk po gjetet se çfarë lënde është. Kjo shkakton një lloj djegie në sy, tubullim dhe gjendje të fikëti. Ka ndodhur dhe para disa ditësh, të premten ka qenë një nxënës që e ka hedhur. Ngjarja është përsëritur. Është marrë policia. Është minoren, ai është fëmijë shumë i vogël dhe e ka përjetuar shumë keq. Nuk mund të them se është i njëjti person. Lënda është hedhur brenda godinës së shkollës.”– tha drejtoresha në një prononcim me telefon për ‘News 24’.
Sipas gazetës Panorama nxënësi që dyshohet se hodhi sprajin është ndaluar nga policia.
“Na thanë që ishte një stërvitje për raste emergjente”
Një nxënës pak më herët tha se gjatë pushimit të madh, mësuesit i kishin vënë në rresht dhe i kishin thënë se u kishin bërë një lojë për të parë se si reagojnë ata në situata të ngjashme dhe nëse do të panikohen.
“Ishim në pushim të gjatë, erdhëm në oborr kur sapo hymë në shkollë i pamë të tjerët që të dilnin të shqetësuar. Na thanë që është alarm fals, nuk na lanë të hyjmë brenda, na thanë që ishte një stërvitje se si do reagonim ne në raste emergjente.”, ishin fjalët e nxënësit.
Kjo deklarata shkaktoi shumë konfuzion, por më në fund drejtoresha e shkollës “Janaq Kilica” dha sqarime në një prononcim me telefon për televizionin “News 24”.
Drejtoresha pranoi se u kishin thënë kështu nxënësve, për të mos përhapur panik për situatën vërtet shqetësuese që po ndodhte në shkollë, pasi ata ishin shumë të shqetësuar dhe nuk donin që ata ta përjetonin keq helmimin e shokëve.
“Ne në radhë të parë kemi hallin e shëndetit të fëmijëve. Situata është menaxhuar në mënyrë perfekte nga stafi mësimor. E bëmë me qëllimin e mirë që të mos përhapnim panik. Sepse ata janë të gjithë të shqetësuar. Nuk do zgjidhim se çfarë thonë gazetarët. Kemi hallin e fëmijëve.”– tha drejtoresha.
Ajo sqaroi se edhe në rastin e javës së kaluar, nuk kishte ndodhur një eksperiment në laboratorin e kimisë që kishte shkuar keq, por se një nxënës kishte hedhur një sprajt. Ajo tha se e kanë mbrojtur duke mos folur për këtë për shkak të moshës së re. Ndërkohë për këtë rast drejtoresha tha se përsëri është hedhur një lëndë por nuk mund të thotë nëse përgjegjës për këtë është i njëjti nxënës.
Në Fier, janë tre raste rresht në arsimin parauniversitar të cilat kanë skandalizuar opinionin publik. Ku në gjimnazin “Jakov Xoxa” një mësues nodhet nën arrest me akuzat e ngacmimit seksual pasi u filmua me minorenen ndërsa te shkolla “Janaq Kilica” dy rastet e njëpasnjëshme e shtojnë presionin ndaj institucioneve përgjegjëse arsimore./Hashtag.al