Situata e sotme në gjimnazin “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit vijon të jetë e tensionuar, kjo për shkak se ka nisur një debat mes prindërve të fëmijëve dhe stafit të shkollës.
Prindërit e gjimnazistëve dyshojnë se ka helmime të tjera brenda shkollës, ku mësimi ka rinisur edhe pse ende nuk ka një version përfundimtar të analizave për sigurinë e shkollës ku u helmuan 58 nxënës e dy mësues.
Në mbledhjen e mëngjesit të sotëm kanë marrë pjesë stafi pedagogjik, kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, Drejtoresha e Zyrës Arsimore Fier dhe drejtoresha e gjimnazit. Por prindërit nuk janë lejuar të futen brenda dhe kanë pritur në ambientet e jashtme të shkollës.
Ata ankohen se po u mbahet i fshehur informacioni dhe pretendojnë se të paktën një përfaqësues i tyre duhej të ishte lejuar në mbledhje.
Ndërkohë Shqiptarja.com raporton se një nxënëse sot në mëngjes është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit pasi nuk është ndjerë mirë kur është futur në ambientet e shkollës.