Vendosni fjalën kyçe....

PD dhe LSI skeptikë për integrimin/ Bardhi: Shqipërisë do i shtohen kushtet, Gjosha: Qeveria dështoi në plotësimin e direktivave


Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë shprehur skeptikë për hapjen e mundshme të negociatave me BE-në.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi dhe ish-ministrja e Integrim i hedhin fajin qeverisë pasi nuk arriti të plotësonte kushtet.

Madje për numrin dy të demokratëve jo vetëm që nuk u plotësuan kushtet por ato do shtohen më tej.

Sa shpik “armiq” të rinj, të brendshëm e të jashtëm, Edi Rama bën mirë të lexojë kushtet e partnerëve europianë që shtohen çdo herë, për shkak të keqqeverisjes së tij.

Nga 9, kushtet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian mund të bëhen 10 apo 11. Me Edi Ramën kryeministër nuk ka lajme të mira për Shqipërinë.

Vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk gënjehen nga deklaratat pompoze dhe ligjet në letër. Ata duan veprime konkrete, por Edi Rama është i pafuqishëm të luftojë seriozisht krimin e organizuar. Pushteti i tij i ka rrënjët tek krimi dhe jo tek vota e lirë, prandaj Edi Rama është e keqja më e madhe e vendit, është imazhi më i keq i Shqipërisë në Europë. Shqipërisë i duhet ndryshimi për të bërë Shqipërinë si Europa!”-shkruan Bardhi.

Ndërkohë ish-ministrja Klajda Gjosha thotë se qeveria ka dështuar me plotësimin e kushteve duke bërë me faj qeverinë se punon për të minuar procesin e integrimit të cilin e quan jetik për Shqipërinë.

Loja me integrimin europian të vendit vazhdon ende pa u ndalur, për ata që çdo ditë punojnë për ta minuar këtë proces jetik për të gjithë ne. Habitem kur dëgjoj disa deklarata boshe, konspirative, që kërkojnë të drejtojnë gishtin drejt institucionit të vetëm legjitim në vend, që është Presidenti i Republikës. Frika nga e vërteta që fshihet pas fasadës, frika nga fallcifikimet për të kapur çdo qelizë të drejtësisë, e detyron mazhorancën që me nxitim të manipulojë opinionin publik por edhe institucionet europiane.

Fatkeqësisht qeveria ka dështuar të plotësojë kushtet e saj për të bërë të mundur çeljen e bisedimeve për anëtarësim dhe agjenda e saj shkon në kundërshtim me atë të qytetarëve të këtij vendi. Si gjithmonë, faji duhet të varet diku për paaftësinë, mungesën e vizionit, keq qeverisjen dhe shpërdorimin e besimit.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe sepse po të donit negociatat për anëtarësim nuk do të shkatërronit drejtësinë nëpërmjet fallcifikimeve, mashtrimeve, përdorimit që i bëhet institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre në emër të kapjes së shtetit”-shkruan Gjosha ndër të tjera.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *