Kreu i Shtetit Ilir Meta nëpërmjet një postimi në Facebook ka falënderuar Presidentin e Bullgarisë Rumen Radev për miqësinë e dy popujve duke e quajtur vendin e tij si strehën e sigurt të Rilindasave në luftën për pavarësi.
“I lumtur të ngrija një dolli me Presidentin Radev për miqësinë e fortë të dy popujve tanë!
Bullgaria ishte streha e sigurt e shumë patriotëve tanë gjatë Rilindjes Kombëtare në luftën për përhapjen e gjuhës shqipe dhe arritjen e Pavarësisë. Në Sofje, Shahin Kolonja, Kristo Luarasi, Mithat Frashëri etj., në shtypshkronjën “Mbrothësia” botuan abetare pafund dhe gazetën “Drita” për t’i shpërndarë kudo në Atdhe me qëllim lartësimin e ndjenjave kombëtare dhe mobilizimin për kryengritjet finale që do sillnin Pavarësinë tonë në 28 nëntor 1912. Edhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-bullgare duket plot shkëlqim e mirëbesim”-shkruan Meta.