Menjëherë pas masave të reja të qeverisë italiane që vendosi në karantinë 15 milionë banorë në zonën e Lombardisë dhe 14 provincat më të prekura, njerëzit kanë nisur të largohen nxitimthi nga veriu i Italisë.
Il Messaggero shkruan se pas dekretit të ri, njerëzit nxituan të arratisen nga Milano të shtunën në mbrëmje, nga frika se mos mbeteshin të bllokuar larg shtëpisë dhe familjeve.
Në të gjithë rajonin e Lombardisë dhe në 15 provinca të rajoneve, qindra njerëz janë drejtuar në stacionin qendror hekurudhor në përpjekje për t’u larguar para se të hyjë në fuqi dekreti i ri i qeverisë.
Biletari e trena janë pushtuar nga turma e njerëzve që gjatë natës kërkonin të udhëtonin drejt jugut.
Shumica e tyre janë me origjinë nga jugu i Italisë e kanë emigruar në Milano e rrethina për nevoja punësimi. Udhëtarët hipnin në vagonat e trenit edhe pa biletë, duke u thënë kontrollorëve se ata ishin të gatshëm të paguanin gjobën në mënyrë që të mbeteshin në bord.
Stafi hekurudhor u përpoq t’i bindte disa se numri i tyre ishte më i lartë se sa lejohet dhe kjo mund të kishte krijuar probleme sigurie, por në shumë raste kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’i bërë pasagjerët të hiqnin dorë.
Ka dhe raportime për shumë njerëz që janë larguar me makinë për në shtëpitë e tyre pranë detit ose maleve.