Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ka reaguar për herë të parë lidhur me konfirmimin e dy pacientëve të parë me koronavisur në vend.
Kryedemokrati u bën thirrje qytetarëve që të mos panikosen por të kujdesen për higjienën personale.
“Asnjë vend nuk është imun ndaj rrezikut të koronavirusit, dhe tani që kemi rastet e para të konfirmuara edhe në Shqipëri, është më e rëndësishme se kurrë që të gjithë të reagojmë me kujdes dhe me përgjegjshmëri.
Të gjithëve do na duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë që të luftojmë përhapjen e virusit: të kujdesemi shumë për higjenën tonë personale, të kufizojmë udhëtimet dhe nëse nuk ndihemi mirë të rrimë në shtëpi.
Sot nuk është koha për panik, por për masa të shpejta dhe të vendosura.”- shkruan Basha.
Ai zbatoi sot urdhrat e qeverisë për frenimin e përhapjes së koronavirusit në vend, duke anuluar dy aktivitete të tij të planifikuara për sot.