Në ndeshjen kundër Beneventos, skuadra e Peskarës u shfaq në fushën e blertë pajisur me maska për fytyrën. Trajneri Nicola Legrottaglie shpjegoi zgjedhjen e ekipit.
“Ne u përpoqëm të jepnim një sinjal sepse thamë se kemi trembëdhjetë raste të gripit dhe ata nuk kanë ardhur për të bërë testet”– tha ai, citon sportmediaset.
Trajneri ka dhënë alarmin për skuadrën ku bën pjesë edhe shqiptari Ledion Memushaj duke thënë se edhe pse kanë kërkuar ndihmë mjekësore për 13 lojtarë, askush nuk ka shkuar për të bërë analizat e as u ka ofruar ndonjë masë mbrojtëse.
“Ne u munduam të thonim: Shikoni, problemi është atje dhe ndoshta po nënvlerësohet. Ne bëmë më të paktën që mund të bënim, prioriteti është jeta”– shpjegoi trajneri.
Pavarësisht kësaj, Legrottaglie është kundër anulimit të kampionatit.
“Kemi shprehur shqetësimin tonë për këtë situatë, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ndërprerja e kampionatit? Nuk mendoj se do të ishte një zgjidhje edhe nëse nuk luajmë në tri javët e ardhshme. Do të ishte një situatë jonormale për ekipin tim.Për momentin jam më shumë i shqetësuar për shëndetin e lojtarëve të mi, të cilët duhet të mbajnë maska mbrojtëse”.– tha ai.
Ende nuk dihet nëse edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare Ledion Memushaj, është një nga 13 lojtarët me simptoma gripi.