Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka bërë thirrje televizioneve në vend të ndalojnë praninë e përqendruar të publikut në emisionete ndryshme.
Në njoftim theksohet se në formatet informative apo forume të mos marrin pjesë më shumë se dy persona duke respektuar largësinë që është përfshirë në udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë.
AMA thekson se do monitorojë zbatimin e rekomandimeve duke paralajmëruar marrjen e masave administratrive në rast të shkeljes së tyre.
Njoftimi
‘Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, duke ndjekur situatën me përpjekjet që po bëhen për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, kujton subjektet audiovizive që të kujdesen me përgjegjësi maksimale për personelin që angazhojnë brenda mjediseve të redaksive e studiove të regjistrimit dhe transmetimit.
Në këtë periudhë të ndalohet prezenca e publikut të përqëndruar në programe televizive direkte ose të regjistruara.
Në formatet informative apo forum, të mos ketë më shumë se 2 persona të pranishëm, duke respektuar distancat apo standardet që janë përfshirë dhe në udhëzimet që ka bërë publike së fundmi Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
Shtimi i lidhjeve direkte, në distancë, mënjanon rreziqet e transmetimit të virusit.
Angazhimi dhe puna voluminoze e redaksive audio dhe audiovizive për raportimin dhe mbulimin e zhvillimeve në terren, duhet të marrë parasysh dhe shëndetin e personelit gazetaresk dhe mbështetës, për të mënjanuar efektet e padëshiruara nga raste të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
Duke vlerësuar shëndetin e qytetarit mbi gjithçka, AMA, nga data 12.03.2020 do të monitorojë transmetimet audiovizive dhe për rastet e eviddentuara të neglizhencave apo shkeljeve të kërkesave të mësipërme do të fillojë procedurat administrative.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë më, 11.03.2020′