Që prej së hënës, kur Shqipëria u prek zyrtarisht nga koronavirusi me dy rastet e para, qeveria nisi një sërë masash shtrënguese, duke nisur fillimisht me lënien pushim të një pjese të administratës, mbylljen e shkollave e universiteteve.
Këto masa u pasuan me bllokimin e fluturimeve e udhëtimeve detare me Italinë, më pas u shtuan edhe më me bllokimin e të gjitha bareve, restoranteve, lokaleve e qendrave të argëtimit fillimisht për dy javë e më pas deri në datën 3 prill.
Kufizimet u zgjeruan edhe më shumë ditët e fundit duke bllokuar qarkullimin mes qyteteve kryesore të vendit por edhe brenda tyre për të githa mjetet, publike apo private, masë që siç ka njoftuar kryeministri do shtrihet edhe javën që vjen.
Ditën e sotme Rama njoftoi nga Facebook, siç e ka bërë edhe në shumicën e kufizimeve të tjera se pas së dielës, do bllokohen të gjithë kufijtë tokësorë me vendet fqinje.
Ndërsa masat e marra nga qeveria kanë qenë përherë e më të forta, nuk ka ende asnjë vendim apo njoftim të saj se çfarë do ndodhë më ato familje që kanë humbur vendin e punës dhe do të duhet të jenë të ardhura të paktën deri në datën 3 prill.
Italia e Franca kanë bllokuar një pjesë të madhe të veprimtarive por siç kanë njoftuar kryeministri Conte e presidenti Macron, qytetarët e detyruar të qëndrojnë në shtëpi do marrin një kompensim të caktuar financiar.