Numri i personave të infektuar me virusin Covid- 19 në vend ka shkuar në 42. Harta e qyteteve të prekura nuk ka ndryshuar, vijojnë të jenë Tirana, Durrësi, Rrogozhina, Elbasani, Lushnja e Fieri.
Nga këto, Tirana mban rekordin me numrin e të infektuarve, ku numri është rritur në 26 nga 22 që ishte një ditë më parë. Ndërsa në qytetet e tjera nuk ka patur ndryshime në numrin e të sëmurëve.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakaçolli tha se nga 3 pacientët që po mbahen në terapi intensive, njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.
Ndërkohë mes katër pacientëve të rinj, bëhet me dije se dy prej tyre janë pjesëtarë të personelit mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”.
DETAJET E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË
Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19.
Janë testuar 27 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Në total, deri në këto momente janë testuar 532 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, vetëm 42 raste:
Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë- 26 raste
Durrës- 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje- 2 raste
Elbasan- 2 raste
Fier- 5 raste
Rrogozhinë- 2 raste
Prej tyre:
-Nga të gjitha këto raste, vetëm 17 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina).
-Tre prej tyre janë në terapi intensive, vazhdon 66 vjeçari nga Lushnja, një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana. Ju informoj se gjendja e një personi që po merr shërbimin në terapi intensive është e rënduar.
Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar deri në këto momente 17 personel shëndetësor, kontakt të të sëmurit të sëmurit të identifikuar me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin Infektiv. Rezulton se 2 prej tyre, personel shëndetësor kanë rezultuar pozitivë. Janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar.
Po zhvillohet një hetim epidemiologjik për këto raste.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve:
Ju lutemi të gjithë qytetarëve që paraqiten në spitale dhe familjarëve të tyre:
Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni udhëtuar jashtë vendit.
Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni një familjar ose të afërt që ka udhëtuar jashtë vendit.
Njoftoni nëse keni patur kontakt me persona që kanë udhëtuar apo kanë shenja të sëmundjes.
MOS vizitoni të afërmit në spitale sepse shkaktoni rrezik edhe për personelin shëndetësor.
Ju lutem bashkëpunoni me mjekët dhe me autoritetet!
SOT ËSHTË DETYRIM që ne të mbrojmë personelin shëndetësor duke treguar ndërgjegje të lartë në raport me të vërtetën, atë që secili prej nesh duhet të bëjë:
Shmangni vajtjet direkte në spitale.
Telefononi 127 dhe ndiqni këshillat që merrni nga personeli shëndetësor.
Gjatë 24 orëve të fundit janë pritur 7247 thirrje, prej tyre 4468 me kodin ‘korona’.
Dua t’ju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem qëndroni në shtëpi!/Hashtag.al