Confindustria dhe Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri i kanë bërë 6 propozime konkrete qeverisë për lehtësimin e situatës së biznesit në vend në gjendjen e krijuar nga koronavirusi.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë që të hyjë në dialog me përfaqësuesit e biznesit për të marrë vendime sa më efektive.
6 pikat e propozuara
MASAT MBËSHTETËSE PËR SISTEMIN E PRODHIMIT GJATË URGJENCËS SË CORONAVIRUS
PROPOZIMET E CONFINDUSTRIA ALBANIA
Emergjenca e lidhur me epideminë Covid-19 ngre shqetësime serioze në sistemin e prodhimit. Deri më tani, përhapja e Covid-19 në Shqipëri po shkakton dëme kryesisht në xhiron e kompanive, siç tregohet nga anketimi i bërë me kompanitë tona anëtare.
Për Confindustria Albania- Shoqata e Industrialistëve italianë në Shqipëri, është përparësi ruajtja e vazhdimësisë së prodhimit, duke garantuar vazhdimësi në flukset e furnizimit dhe shpërndarjes, në ndërhyrjet specifike në dinamikën e punësimit, në përfitimet e sigurimeve shoqërore si edhe në mbështetje të likuiditeteve të kompanisë.
Për më tepër, është i nevojshëm një dialog i vazhdueshëm me përfaqësuesit e biznesit për të marrë vendime efektive dhe të përbashkëta për të mbështetur aktivitetet e prodhimit, të cilat tashmë vuajnë pasojat shumë negative që lidhen me epideminë.
Prandaj, Confindustria Albania ka përgatitur disa propozime që synojnë përballimin e krizës ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga zgjerimi progresiv i urgjencës epidemiologjike.
Ndërhyrjet urgjente që do t’i jepnin një mbështetje të madhe bizneseve, janë të renditura më poshtë:
– të garantohet menjëherë likuiditeti i kompanive, të prekura nga urgjenca epidemiologjike, përmes pezullimit të taksave dhe pagesave të kontributeve;
– të sigurohet procedurë homogjene në të gjithë territorin kombëtar për të garantuar vazhdimësinë produktive, duke shmangur ndërhyrjet e fragmentuara dhe kontradiktore midis niveleve të ndryshme të qeverisjes;
– të parashikohet që punonjësit që qëndrojnë në shtëpi për shkak të ndërprerjes së veprimtarive, si dhe ata që vetë karantinohen, të trajtohen si të sëmurë dhe të paguhen nga fondi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë të paktën një mujore;
– të parashikohet shtyrja e afatit të paraqitjes së pasqyrave financiare për vitin 2019 pranë zyrave së tatim –taksave,
– të shmanget bllokimi i llogarive bankare të kompanisë për shkak të detyrimeve tatimore për kohëzgjatjen e situatës virale,
– të shmanget ndërprerja e shërbimeve themelore (të tilla si, energjia elektrike, uji) për arsye të mospagimit.