Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa foto nga Italia, ku shfaqet një karvan me kamionë të ushtrisë që sipas mediave të shtetit fqinj, po transportonin viktimat e shkaktuara nga koronavirusi.
Rama jep shembullim italian, duke u justifikuar për masat e marra në vend dhe thotë se epidemia duhet luftuar sa nuk është vonë. Ai thotë se duhet shmangur sa më shumë rasti i Bergamos, ku masat nisën të merren me vonesë dhe bilanci i viktimave dhe i të infektuarve ishte më i rëndë.
“LODI dhe BERGAMO janë dy zona fqinje në Italinë e Veriut. Në LODI masat shtrënguese u morën në 22 shkurt, ndërsa në Bergamo vetëm në 8 mars.
🔴 grafiku majtas tregon se si masat e frenuan armikun në lodi, ndërsa në bergamo ato hynë në fuqi kur armiku kishte përparuar ndjeshëm, prandaj edhe dallimi mes numrit të të infektuarve dhe të të vdekurve në dy zonat fqinje është tronditës!
🔴 në foton djathtas karvani i kamionëve të ushtrisë italiane, që transportonte mbrëmë nga bergamo drejt 12 zonave të tjera të italisë, trupat e viktimave të luftës, sepse krematoriumi i zonës ka mbingarkesë dhe nuk e përballon dot nevojën për djegien e kufomave.
🔴 ne duhet ta shmangim me çdo kusht dhe çmim katastrofën humanitare që po ndodh ne bergamo dhe në zonat e veriut të italisë, ku sistemi ekselent shëndetësor ra në gjunj, sepse nuk u mbrojt nga muri i masave shtrënguese!
🔴 durim, durim, durim! Nuk duhet të na ndodhë që ta mësojmë se çfarë të gjen nëse nuk lufton sa s’është vonë!”– thotë Rama.
Mediat italiane mbrëmjen e djeshme publikuan pamjet nga një kolonë mbresëlënëse e automjeteve ushtarake që përshkoi Bergamon, nga varrezat monumentale deri në autostradë, me arkivolet e të vdekurve nga koronavirusi në bord. Për shkak të numrit të lartë të tyre, varrezat e Bergamos nuk mund ta menaxhonin më transportin e tyre.
Reth 70 arkivolet e vendosura në rreth 30 kamionë të ushtrisë, ishin drejtuar në destinacione të ndryshme në të gjithë Italinë.