Acromax Media raporton shkelje të pretenduara të të drejtave të autorit në platforma të tilla si Facebook dhe kështu bën që lajme kritike të zhduken nga Interneti. Kompania me qendër në Hamburg ka punuar, ndër të tjera, për partinë që qeveris Shqipërinë. Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa kufij” e konsideron këtë një përpjekje për të shtypur gazetarinë e pavarur.
Nga Daniel Laufer
Një kompani gjermane heq video që kritikonin qeverinë shqiptare nga interneti, në veçanti në Facebook. Arsyeja që ajo citon janë shkelje të pretenduara të së drejtës së autorit. Media dhe aktivistë të pavarur janë më të prekurit. Ata kanë një akuzë serioze: Acromax Media po ndihmon qeverinë shqiptare të kufizojë lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës!
Kompania i mohon akuzat. Sidoqoftë, një hetim i përbashkët i netzpolitik.org dhe ARD FAKT tregon se se veprimet e saj kanë ndikim të kosiderueshëm në vend.
“Ne jemi të detyruar të jemi kritik ndaj qeverisë. Kjo na pengon të bëjmë punën tonë,” thotë Viola Keta, kryeredaktore e Faktoje.al.
Në tetor, portali shqiptar i fokusuar mbi kontrollin e vërtetësisë e mbi deklaratat e zyrtarëve publik, raportoi mbi mosmarrëveshjet mbi Kopshtin Botanike të Tiranës, një nga parqet e fundit të mbetura në kryeqytet. E ardhmja e Kopshtit është e pasigurt: trualli i përket universitetit, por Bashkia Tiranë dëshiron të marrë kontrollin e tij.
Mosmarrëveshja është një temë tipike e politikës lokale. Një politikan i nivelit të lartë lokal pretendoi se vetëm ata që japin ryshfet te rojet e sigurisë mund të hyjnë në park. Keta dhe kolegët e saj kontrolluan deklaratat dhe zubuluan se ai nuk thoshe të vërtetën. Më pas, ata i prezantuan gjetjet e tyre në një video në faqen e tyre në Facebook.
Video krijon një problem për Bashkinë e qytetit. Në ditën e publikimit, Faktoje.al merr një email nga Facebook. Emaili i informon se “Videoja juaj është bllokuar sepse përmban 26 sekonda muzikë, tingull ose video në pronësi të Acromax Media.” Gazetarët e publikojnë sërish më vonë, këtë herë në YouTube.
Acromax Media ka shkaktuar një valë fshirjesh
Neritan Sejamini, kryeredaktori i Exit News, ka përjetuar probleme të ngjashme. Portali i drejtuar prej tij raporton në mënyrë kritike për punën e qeverisë dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, një nga politikanët më të fuqishëm të vendit. Gjatë fushatës së tij elektorale, ai kishte premtuar vazhdimisht në televizion një zvogëlim të lejeve të reja të ndërtimit. Që kur mori detyrën, ai duket se ka ndryshuar mendje.
Exit News ka ngarkuar disa video në Vimeo në të cilat deklaratat e mëparshme të kryetarit bashkohen me fotot dhe video aktuale të shesheve të mëdha të ndërtimit. Mesazhi është i qartë: Kryetari e theu premtimin e tij. Por këto postime gjithashtu janë sinjalizuar dhe zhdukur nga Interneti.
“Ka shumë raste në të cilat Acromax Media ka ndërhyrë për të hequr video që bëjnë përgjegjës politikanët,” thotë Sejamini.
Video në faqet e aktivistëve në Facebook të cilët kundërshtojnë planet e qeverisë janë fshirë gjithashtu. Sot nuk është më e mundur të përcaktohet se sa postime janë prekur. Nisma Thurje gjithashtu ankohet për kufizime.
Kjo organizatë shqiptare është e fokusuar mbi luftën ndaj korrupsioni. Sipas një raporti të vitit 2014 nga Transparency International, “korrupsioni është një problem serioz në vend”. Sipas vlerësimit të vitit të kaluar, asgjë nuk është përmirësuar që nga atëherë.
“Ne duam të promovojmë demokracinë në Shqipëri”, thotë Baroel Feza, një nga aktivistë e Nisma Thurje. Tani profilet e kolegëve të janë zhdukur nga Facebook – për shkak të shkeljeve të pretenduara të së drejtës së autorit.
Netzpolitik.org dhe ARD FAKT kanë marrë mbledhur mesazhe të shumta në të cilat Facebook ka njoftuar administratorët e faqeve për fshirjet. Një emër vazhdon të shfaqet pa pushim: Acromax Media!
Kompania nënshkroi kontrata me pothuajse të gjitha stacionet kryesore televizive të Shqipërisë
Kompania është e vendosur në një ndërtesë tregtare në rrugën e dyqaneve më të shtrenjta në Hamburg. Asnjë panel ose kuti postare me emrin e kompanisë nuk është i shfaqur. Nuk ka asgjë për të sugjeruar se një nga kompanitë më të fuqishme në peizazhin mediatik në Shqipëri ndodhet në katin e dytë të një godine.
Acromax Media i janë dhënë të drejta të gjera për përdorimin në iternetit të transmetimeve televizive shqiptare dhe ajo ndërmerr veprime kundër shkeljeve të të drejtave të autorit me iniciativën e saj. Kjo shprehet qartë në një kontratë që kompania ka nënshkruar me një nga kompanitë më të mëdha mediatike shqiptare, një kopje e së cilës zotërohet nga netzpolitik.org dhe ARD FAKT*.
Në këtë kontratë specifike, Acromax Media siguron gjysmën e të gjitha të ardhurave të krijuara nga postimi i materialit në Internet. Sa para fiton me të vërtetë ndërmarrja përmes biznesit të saj me transmetuesit shqiptarë është diçka që kompania nuk e deklaron.
Kompania deklaron se ka kontrata me më shumë se 95% të të gjitha stacioneve televizive shqiptare. Ky pozicion dominues në treg duket tipik për vendin – në sytë e Reporterëve pa Kufij, ky është një problem.
“Kjo krijon mundësinë për keqpërdorimin e pushtetit mediatik për interesa politike dhe ekonomike,” thotë drejtori i përgjithshëm gjerman i organizatës Christian Mihr.
Ai thotë se mediat më të rëndësishme të Shqipërisë janë në duart e vetëm disa njerëzve, shumica e të cilëve kanë lidhje të ngushta me politikën. Shumë prej pronarëve gjithashtu kanë të ardhura të konsiderueshme nga industria e ndërtimit, e cila është e lidhur me kontratat e qeverisë apo lejet e ndërtimit.
Reporterët pa Kufij i vëzhgojnë me shqetësim këto kushte. “Media e pavarur, që publikon informacione kritike ndaj atyre që janë në pushtet, janë kryesisht faqet e pavarura online” thotë Mihr.
Reporterët pa Kufij akuzojnë kompaninë se abuzon me të drejtat e autorit
Organizata është në dijeni të akuzave kundër Acromax Media.
“Sipas mendimit tonë, ky është një rast i abuzimit i qartë i të drejtave të autorit për të kufizuar gazetarinë dhe informacionin e pavarur,” deklaron ajo.
Aldor Nini na mirëpret me një këmishë të bardhë dhe xhaketë të errët në një sallë konferencash me pamje nga lumi Alster. Drejtori i Përgjithshëm i Acromax Media është 36 vjeç. Ai na tregon se si fillesat e karrierës i ka në sektorin e informatikës. Sot ai është gjithashtu aktiv në industrinë gjermane të argëtimit. Ai ishte në jurinë e çmimit të ndërprerë të muzikës ECHO dhe ishte i ftuar në spektalin Miss Germany.
Nini ka lindur në Tiranë dhe sot ka pasaportë gjermane. Nëpërmjet kompanisë së tij, ai drejton kanalin ArkivaShqip. Sipas Fondacionit Otto Brenner, ArkivaShqip është mes qindra kanaleve më të mëdha gjermane në YouTube në vitin 2018. Videot e muzikës shqiptare që publikon Acromax Media në këtë kanë janë parë më shumë se 5 miliardë herë.
A është rastësi që kompania heq postime kritike ndaj qeverisë? Nini dyshon se punonjësit e tij janë në gjendje të tregojnë se në çfarë mase përmbajtja e një postimi është politik.
Netzpolitik.org dhe ARD FAKT biseduan me të për disa nga videot që kompania e tij i kishte fshirë. Nini shpjegon se asnjë nga ato raste nuk ishte e diskutueshme.
“Në disa raste, logot e klientit tonë u hoqën, nuk u emërtuan asnjë burim ose nuk kishte ekzaminim të kontekstit, siç kërkohet nga e drejta e citimit gjerman,” thotë Nini. Videot thjesht kishin shkelur ligjin e të drejtave të autorit.
Ajo që ai thotë është të paktën pjesërisht e vërtetë. Disa nga videot në të vërtetë nuk kanë përmendur një burim. Por dyshimet për këtë arsyetim mbesin. Videoja nga Faktoje.al, për shembull, është një postim origjinal për të cilin gazetarët zhvilluan edhe intervistat e tyre. Në fragmentet e shkurtra, të cilat portali nuk i regjistroi vetë, emri i stacionit shqiptar Top Channel mund të shihet qartësisht në videon e përdorur.
Në një artikull të botuar nga Exit News mbi politikën e diskutueshme të ndërtimit të Tiranës, fragmenti i përdorur u tregua gjithashtu në kontekst. Për më tepër, adresa e internetit e Top Channel është qartë e dukshme në ekran. Sidoqoftë, edhe kjo video ishte fshirë.
Acromax Media punoi për partinë qeverisëse shqiptare
Nini pohon se e gjithë kjo nuk ka asnjë lidhje me politikën. Në fund të fundit, thotë ai, kompania e tij ka raportuar edhe shkelje të të drejtave të autorit në video që portretizojnë punën e kryeministrit Edi Rama në një dritë pozitive – në total ajo përpunon miliona video. Sipas tij, një marrëdhënie me qeverinë “në të vërtetë nuk ekziston fare”.
Në fakt, lidhjet me personat e pushtetshëm të vendit fillojnë me partnerin e tij Anxhela Faber. Ajo gjithashtu punon për kompaninë, si Drejtore Kryesore e Operacionit. Disa raporte për shkelje të pretenduara të të drejtave të autorit mbajnë emrin e saj.
Njerka e Anxhela Faber është ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara, e propozuar nga qeveria e Edi Ramës vetëm disa muaj pas ardhjes së tij në pushtet. Një foto tregon Anxhela Faber gjatë vizitës inauguruese të njerkës së saj në Zyrën Ovale, pranë Presidentit të atëhershëm Barack Obama.
Në vitin 2019, kompania kishte një klient tjetër të rëndësishëm përveç kompanive mediatike. Në të njëjtën periudhë në të cilën u bënë të njohura fshirjet e postimeve kritike, Acromax Media punoi për Partinë Socialiste të Edi Ramës (PS). Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është gjithashtu funksionar i partisë.
Sipas Nini, PS është e vetmja parti politike me të cilën kompania e tij ka puanuar. Me sa duket Acromax Media i kishte këshilluar ata vetëm për çështje të së drejtës së autorit. Në disa raste vetë kompania kishte raportuar shkelje.
Luftë kundër “lajmeve të rreme” në emër të partisë qeverisëse?
Në gusht të vitit të shkuar, Nini kishte treguar një fushë të mëtejshme të aktivitetit të kompanisë të drejtuar ngai ai. Gjatë asaj kohe, ai kishte pohuar se Acromax Media ishte në një marrëdhënie biznesi me Partinë Socialiste me qëllim raportimin e të ashtuquajturave “lajme të rreme” për anëtarët e partisë në Facebook. Netzpolitik.org dhe ARD FAKT kanë marrë mesazhet që ai i ka dërguar një gazetari të Exit News ku i informon për këtë aktivitet.
Një keqkuptim, e konsideron ai sot. Nini pretendon se kompania e tij nuk është marrë kurrë me “lajmet e rreme” në emër të partisë qeverisëse dhe se ai gjithashtu “nuk e di pse e shkroi këtë”. “Ishte shumë kohë më parë,” deklaron Nini.
As PS dhe as zëdhënësit e Kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me Acromax Media. Nini thotë se Partia Socialiste nuk është më klienti i tij. “Nuk kishte asnjë bazë ekonomike për bashkëpunim të mëtejshëm.” Sipas tij, PS pagoi maksimumi 500 Euro për shërbimet e tij. Sipas Reporterëve pa Kufij, shuma e vogël nuk ndryshon ndjeshmërinë e çështjes. “Problemi strukturor mbetet i njëjti”, thotë Christian Mihr.
Sipas mendimit të tij, kur një kompani mediatike si Acromax Media merr urdhra nga një parti qeverisëse, është e mundur të ushtrohet ndikim i motivuar politikisht. “Interesat e korporatave dhe ato politike janë thuajse të pashmangshme në konflikt me njëra-tjetrën.”
Kërcënime për veprime juridike ndaj mediave kritike
Exit News e konsideroi këtë kompani si një mjeti i qeverisë shqiptare për censurim në internet. Që atëherë, Aldor Nini ka qenë në sulm të vazhdueshëm. Ai e sheh mbulimin e mediave për valën e fshirjes së postimeve në Facebook si një sulm ndaj kompanisë së tij.
Verën e kaluar, ai njoftoi se do të padiste 21 media që kishin raportuar për fshirjet, përfshirë Exit News. Me sa duket asgjë nuk ka ndodhur akoma. Nini tani madje pretendon se nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim kundër mediumit: portali nuk ka një adresë poste për t’i dërguar një thirrje për proces gjyqësor.
Për të gjetur një adresë të tillë, përfaqësuesit e kompanisë së tij madje shkuan në një adresë të supozuar të Exit News dhe pyetën fqinjët për kryeredaktorin Sejamini. “Askush nuk e njihte atë ose kompaninë,” thotë Nini. Ai pikturon pamjen e një mediumi misterioz me qëllime të pandershme.
Netzpolitik.org dhe ARD FAKT kontrolluan adresën që Exit News kishte shënuar në faqen e saj në kohën e akuzave të Ninit – dhe e gjetën Sejamini atje në zyrën e tij. Ne gjithashtu kemi marrë një letër që Acromax Media duket se ja ka dërguar në të njëjtën adresë*. Sipas Sejaminit, letra erdhi me sukses – nëpërmjet postës.
Nini bën një pretendim tjetër që duket i bezdisshëm. Një pretendim aq serioz sa që mund të prishë besueshmërinë e Exit News nëse është e vërtetë.
Fushatë baltosjeje kundër gazetarëve
Menjëherë pas artikullit të parë për kompaninë, në një bar-kafe, pati një takim mes Ninit, Anxhela Faber dhe një përfaqësuesi të Exit News. Nini i tha netzpolitik.org dhe ARD FAKT se ky person përmendi se dikush kishte paguar gazetarët për të botuar artikullin.
Por kryeredaktori Sejamini thotë se ai vetë përfaqësonte Exit News në mbledhje. “Ne nuk kemi paguar asgjë, as unë dhe as Exit News.” Ne gjithashtu folëm me autorin e artikullit. Ai mohon të ketë marrë para gjithashtu.
Dy ditë pas bisedës sonë me Nini në Hamburg, ai papritmas na dërgon një email. Në email ai sugjeron që pretendimi i tij të hiqet nga raportimi ynë. Ai shkruan se ai nuk mund ta provojë atë. “Është një model tipik për të baltosur median saktësisht në këtë mënyrë,” thotë Christian Mihr. Sipas Reporterëve pa Kufij, në Shqipëri ka fushata të rregullta baltosje dhe njollosje kundër gazetarëve. Mihrt thotë se, fakti që kompania ka kërcënuar me një valë padish gjyqësor i përshtatet modelit të sulmit ndaj mediave.
Ky rast prek jo vetëm Shqipërinë
Çështja e Acromax Media shqetëson mediat shqiptare. Por ajo ka gjithashtu një dimension ndërkombëtar.
Acromax Media krijon të ardhura nga reklamat që shoqërojnë videot e klientëve të saj në internet. Për këtë arsye Aldor Nini dëshiron të parandalojë shpërndarjen e paautorizuar të përmbajtjes, thotë ai. Mund të prodhohet nga stacionet televizive në Shqipëri, por pretendohet se ky treg nuk është i volitshëm.
Kontrata dygjuhëshe me një kompani mediatike thekson në mënyrë të veçantë që Acromax Media do t’ju jepet të drejta e përdorimit “pa kufizime rajonale”. Ekziston një arsye për këtë.
Një kontratë me kompaninë, e ngjashme me atë që netzpolitik.org dhe ARD FAKT, kanë mbledhur.
Edhe nëse Acromax Media ka fshirë videot në gjuhën shqipe, kompania po synon një treg të ndryshëm ndërkombëtar reklamash. “Shumica e të ardhurave tona gjenerohen në Gjermani. Kjo është arsyeja pse ne kryesisht i referohemi ligjit gjerman, ” thotë CEO i saj.
Sipas cilit ligj gjykon Facebook?
Në fakt, nuk është gjithmonë plotësisht e qartë se cilat ligje ndjekin platformat kur vendosin për heqjen e postimeve. Kjo bëhet e dukshme nga një kërkim në bazën e të dhënave Lumen, një projekt kërkimor në Universitetin e Harvardit që dokumenton ankesat me platformat.
Sipas një postimi në Lumen, Vimeo ka marrë vendime në lidhje me disa shkelje të raportuara nga Acromax Media bazuar në ligjin amerikan. Kur u pyetën nga ana jonë, Facebook nuk dëshironte të sqaronte se cilat ligje kombëtare përdoren për të gjykuar mbi situata të tilla.
Kjo është e rëndësishme pasi ligji amerikan parashikon në mënyrë të qartë të ashtuquajturin “përdorim të drejtë (fair use)”, i cili lejon përjashtime të gjera dhe të rëndësishme nga ligji për të drejtat e autorit.
Adam Holland i Berkman Klein Center në Universitetin Harvard, i cili është duke mbikëqyrur projektin Lumen, nuk donte të komentonte posaçërisht për akuzat kundër Acromax Media, por shprehet:
“Duke pasur parasysh gjithë kontekstin, një organizatë gazetarie që merr disa video klipe nga një intervistë e kryer në televizion e një politikani dhe vendimmarrësi, dhe i krahason ato me deklarata dhe zhvillime të tjera, ka të gjitha karakteristikat e “përdorimit të drejtë” – megjithëse sërish, çdo rast është unik dhe specifik.”
Sidoqoftë, ligji gjerman për të drejtat e autorit është më i rreptë.
Facebook hesht për marrëdhëniet e tij me Acromax Media
Mbetet gjithashtu e paqartë se çfarë roli luan Facebook në fshirjet e postimeve. Netzpolitik.org dhe ARD FAKT i kanë dërguar rrjetit social një listë të detajuar pyetjesh. Reagimi i vetëm ishte një deklaratë e përgjithshme. Ajo thotë se kompania i merr seriozisht të drejtat e pronësisë intelektuale.
Në një rast specifik, ne konfrontuam Facebook-un me raportet e postimeve individuale që dyshohet se ishin të vlefshme. Facebook nuk ka dashur të përgjigjet në lidhje me marrëdhëniet e tij me Acromax Media. Megjithatë Acromax Media duket se është shumë e lidhur në botën e platformave të internetit. Facebook fton përfaqësuesit e kompanisë në konferenca.
Baroel Feza i Nisma Thurje akuzon Facebook-un se ka ndihmuar kompaninë me qendër në Hamburg në aktivitetet e saj. “Problemi kryesor është se Facebook lejon që këta njerëz të operojnë pa asnjë pengesë,” thotë Feza.
Gjermania mban një pjesë të përgjegjësisë
Ndërsa kritikët e qeverisë po luftojnë për lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës në Shqipëri, Reporterët pa Kufij po vëzhgojnë një nivel të ri përshkallëzimi. Në të kaluarën, Edi Rama nuk e ka fshehur mospërfilljen e tij ndaj gazetarëve, duke ju referuar atyre si “kazan plehrash”, ndër të tjera.
Tani kreu i qeverisë me sa duket dëshiron të ndërmarrë hapin tjetër. “Ne kemi frikë nga zhvillimet e pritshme, pasi qeveria ka shpallur një ligj për të ndëshkuar lajmet e rreme – ose, thënë më mirë, atë që ajo e konsideron si një lajm të rremë,” thotë Christian Mihr.
Sipas këtij ligji, autoritetet shtetërore në Shqipëri kanë të drejtë të gjykojnë vërtetësinë e lajmeve dhe të vendosin ndëshkime shumë të rrepta në të ardhmen. Profesionistët e mediave i shohin këto hapa kryesisht si një sulm ndaj faqeve të pavarura në internet – siç janë Faktoje.al dhe Exit News. Këshilli i Evropës i ka kërkuar Komisionit të Venecias të vlerësojë ligjin e planifikuar. Vlerësimi i tij përfundimtar do të përcaktojë nëse parlamenti shqiptar do ta kalojë atë.
Me akuzat kundër Acromax Media në sfsond, Mihr tani sheh një përgjegjësi ndaj Gjermanisë për të ushtruar ndikim në Shqipëri – veçanërisht në funksion të negociatave të mundshme për pranimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në Raportet e Progresit të BE-së, për shembull, sulmet ndaj lirisë së shtypit do të duhej të përcaktoheshin më qartë.
Zyra e Punëve të Jashtme Federale e Gjermanisë ka deklaruar se nuk ka njohuri për kompaninë në Hamburg. Prandaj, nuk mund të vlerësojë aktivitetet e tij në këtë moment.
Një faqe e çaktivizuar në Facebook papritmas kthehet në internet
Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që nga koha kur Exit News raportoi për valën e fshirjeve. Një faqe aktivistësh shqiptarë, e cila ishte çaktivizuar në gusht si rezultat i postimeve, është aktivizuar sërish në mes të marsit – menjëherë pas pyetjeve tona ndaj Facebook.
Faktoje.al kishte publikuar ndërhyrjet nga Acromax Media në vjeshtë. Dy ditë pas intervistës me netzpolitik.org dhe ARD FAKT në fillim të Marsit, Aldor Nini duket se mezi pret të flasë sërish.
Sipas një fotografie, ai i shkruajti një e-mail Faktoje.al. Nini, i cili nuk sheh asnjë faj në veprimet e tij, do të dëshironte të diskutonte se si gazetarët mund të shmangin incidente të tilla në të ardhmen.
Nini na thotë se ai mund të bisedojë edhe me Exit News dhe portalet e tjera – “paralelisht me paditë gjyqësore”. Ndërmarrja në Hamburg me sa duket i qëndron synimit për të paditur gazetarët shqiptarë.
Kryeredatorja e Faktoje.al, Viola Keta, megjithatë, sugjeron që vetë Acromax Media duhet të kontrollojë kriteret sipas të cilave kompania punon – dhe të rishqyrtojë veprimet e veta. “Unë jam një gazetare dhe dyshoj për gjithçka – dhe ka shumë arsye pse dyshoj,” thotë Keta. “Dhe ka shumë kolegë që thonë se Acromax Media punon për qeverinë dhe kundër mediave.”
Shkrimi origjinal është publikuar në faqen gjermane netzpolitik.org.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Exit