Vendosni fjalën kyçe....

Basha-Ramës: Mbyll fasoneritë e call center-at, siguro minimumin jetik për qytetarët


Kreu i Partisë Demokratike, Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e policisë për të vijuar distancimin social në mënyrë të disiplinuar si një mënyrë për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend.

Në një deklaratë për mediat nga zyra e tij, kryedemokrati tha se të gjithë mund të japin ndihmën e tyre në frenimin e përhapjes së virusit.

‘Kjo javë nis me një rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus dhe për fat të keq, edhe me një rritje të numrit të viktimave. Dua t’jua afroj ngushëllimet e mia, familjeve të viktimave dhe të uroj nga zemra të gjithë ata që ndodhen në kushtet e infektimit dhe të shtrimit spitalor, shërim sa më të shpejtë.

Dua ta nis me një falënderim për gjithsecilin prej jush qytetarë të dashur që respektuat ditën e djeshme, rregullat e vetizolimit, distancimit social dhe të karantinës së detyruar. Dua po kështu t’u bëj një thirrje nga zemra, të respektoni pikë për pikë, udhëzimet e detajuara sot nga Policia e Shtetit për të vazhduar në mënyrë të disiplinuar, distancimin social si një nga mjetet më të fuqishme për ndalimin dhe ngadalësimin e përhapjes së virozës dhe efekteve të saj shkatërruese mbi shëndetin e të dashurve, të afërmve tanë, në veçanti të prindërve tanë dhe të atyre që nuk gëzojnë shëndet të plotë.’ – tha Basha.

Më tej ai i bëri thirrje qeverisë që të shpallë gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore në gjithë vendin si dhe të mbyllë bizneset me dendësi të madhe personash si fasoneritë, call centerat e fabrika të ndryshme.

‘Nga ana tjetër dua t’i bëj thirrje sot Qeverisë të shpallë Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Dua po ashtu t’i bëj thirrje Qeverisë të urdhërojë menjëherë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambiente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call centers apo të tjera fabrika të tjera prodhimi, ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e virusit dhe kthimin e tyre në mbartës dhe infektues të virozës. E di që shumë prej jush keni hasur në vështirësi të jashtëzakonshme, materiale, fizike, shpirtërore dhe psikologjike gjatë kohës që ndodheni në karantinën e imponuar dhe vetimponuar nga kjo virozë. Por e keqja do të kalojë. Në dorën tonë është që ta bëjmë të kalojë me një faturë sa më të vogël për jetët njerëzore dhe shëndetin e të afërmve tanë. E keqja do të kalojë dhe ne do të shikojmë pas dhe në dorën tonë është të themi: Bëmë atë që duhet, ashtu siç duhet dhe shpëtuam jetë apo të jetojmë me keqardhjen që do të na rëndojë gjithë jetës se nuk bëmë atë që duhet, ashtu siç duhet dhe në këtë mënyrë nuk shpëtuam aq shumë jetë sa ç’duhet?!’ – shtoi Basha.

Në fund të thirrjes së tij Basha tha se qeveria duhet të nisë pa vonuar detajimin e paketës së ndihmës për qytetarët në mënyrë që ata që nuk punojnë dot të kenë minimumin jetik.

‘Por nga ana tjetër jam tërësisht i vetëdijshëm se kjo sakrificë e madhe që ju kërkohet ju ka nevojë për një mbështetje të madhe, ndaj dua të përsëris përulësisht thirrjen time ndaj qeverisë: Të mos vonojë detajimin e paketës së ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, se është qartësisht e pamjaftueshme. Të gjithë ata që do të duhet të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit apo për shkak të bizneseve ku janë punëmarrës, duhet të marrin pagën e mjaftueshme për të vazhduar minimumin jetik në shtëpitë  e tyre dhe kjo është një përgjegjësi shtetërore. Ndaj thirrja ime është të ndërpritet çdo shpenzim tjetër, të ndërpritet çdo transferim tjetër nga Thesari dhe të gjitha paratë e taksapaguesvse shqiptarë të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve dhe nevojat akute ekonomike.’ – mbylli deklaratën Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *