Ndërsa shkencëtarët në mbarë botën po luftojnë për të gjetur një kurë ose vaksinë ndaj Covid-19, është shënuar një rast i ri i transmetimit të virusit nga njeriu te kafshët është shfaqur në Belgjikë.
Siç shkruan RT, ekspertët shëndetësorë në Belgjikë kanë zbuluar se një mace ka marrë virusin nga pronari i saj i infektuar.
Vetëm një javë pasi pronari i kafshëve shtëpiake në Liege, u diagnostikua me Covid-19, macja e tyre gjithashtu filloi të tregojë simptoma të sëmundjes, përfshirë problemet e frymëmarrjes dhe diarre.
Zëdhënësi i qendrës së krizës së koronavirusit në Belgjikë, Emmanuel Andre, u përpoq të siguronte publikun se kafsha e infektuar ishte një “rast i izoluar“.
“Nuk ka asnjë arsye të mendojmë se kafshët janë vektorë të epidemisë”– i tha ai mediave lokale, dhe rreziku që njerëzit të sëmuren nga kafshët e tyre sipas tij mbetet jashtëzakonisht i ulët. Andre shtoi se macja e mori virusin për shkak të “kontaktit të ngushtë midis kafshës dhe të zotit”.
Deri më tani ka rezultuar vetëm një rast tjetër i njohur, që përfshin një kafshë shtëpiake të infektuar me Covid-19 nga pronari i saj. Në fillim të marsit, një qen në Hong Kong u vendos në karantinë pasi rezultoi pozitiv në testin për koronavirusin.
Në Belgjikë, kanë humbur jetën nga koronavirusi 289 persona, ndërsa janë infektuar gjithsej 7,284 persona deri më tani.