Dy javët e ardhshme do të jenë më të vështirat në luftën kundër koronavirusit të ri në Francë, u shpreh kryeministri Edouard Philippe ndërsa qeveria e tij ka shtuar dukshëm përpjekjet për të siguruar shtretër të kujdesit intensiv dhe mjete mbrojtëse. Spitalet që do të marrin ndihma ekstra fillimisht gjenden në Francën Lindore, ndërkohë që mjekët në Paris kanë paralajmëruar se njësitë e tyre të kujdesit intensiv do të jenë plot deri në fund të fundjavës.
“Duhet të përballemi kolektivisht me këtë sfidë të madhe, të bëjmë një përpjekje intensive, përpjekje në planin afatgjatë. Do t’jua them qartë dhe sinqerisht, lufta sapo ka filluar. Dy javët e para të prillit do të jenë të vështira, madje edhe më të vështira se dy javët që sapo kemi kaluar “.
Sipas të dhënave të fundit të ministrit të shëndetësisë, Veran, numri i të infektuarve ka arritur 37,575 dhe i viktimave 2,314 .
Ndërsa numri i rasteve rritet ndjeshëm, mjekët, kujdestarët dhe policia janë ankuar për mungesë të theksuar të mjeteve mbrojtëse.
Veran deklaroi se qeveria kishte porositur më shumë se 1 miliard maska për fytyrën, shumica nga Kina, për të furnizuar vendin.